Banda e Lushnjës, s‘gjendet dosja
Armand Bajrami
Vëllai i Idajet Beqirit, personit të vrarë në shkurt 1998 në Kolonjë të Lushnjës, krim për të cilën akuzohet “banda e Lushnjës”, dëshmoi dje te Krimet e Rënda.Jakup Beqiri, tregoi para togave të zeza në seancën në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande se ai nuk dinte emra konkretë në lidhje me ekzekutorët e të vëllait. “Emra konkretë nuk di, por nga fjalët e njerëzve kam dëgjuar se kanë qenë ata të bandës së Lushnjës”, tha dëshmitari para gjykatës. Ndërkohë trupi gjykues vendosi dje t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme informacion mbi gjendjen penale të Gramoz Selmanit, deklarimet e të cilit, të dhëna në Ambasadën shqiptare në Greqi janë pjesë e dosjes. Shkak është bërë pretendimi i ngritur nga avokatët, se Selmani ka qenë person në kërkim për “vrasje”, në kohën që i janë marrë deklarimet brenda në ambasadë. Edhe pse ishte në kërkim, ai është pyetur si qytetar i zakonshëm dhe më pas është lënë të largohet. Vendimi i gjykatës erdhi pasi Prokuroria e Lushnjës dhe ajo e Elbasanit, ku është hetuar më parë dosja e “Bandës së Lushnjës” nuk kanë informacion nëse Selmani është apo jo person në kërkim. Askush nuk e di si ka ndodhur që personi në fjalë është shpallur në kërkim dhe pasi ka ndodhur kjo, çfarë është bërë me dosjen penale që ishte hapur ndaj tij.
Dëshmia për vrasjen
“Ka qenë ditë e premte datë 22 shkurt 1998. Kemi pasur një rast vdekjeje në fshatin Vidhisht të komunës Kuman. Unë banoj në Kolonjë ndërsa vëllai im banonte në Bitaj. Në atë kohë unë isha kryetar komune në komunën Kolonjë. U nisëm për te rasti i vdekjes së bashku me vëllain e vogël dhe me shoferin tim. Vetëm para minuta para se ceremonia e varrimit të fillonte, më lajmëruan se vëllai im Idajet Beqiri ishte plagosur në Kolonjë dhe se unë duhet të shkoja urgjentisht tek ai. Lashë kortezhin dhe u ktheva në Kolonjë. Pak para se të arrija u përballëm me automjetin e spitalit në të cilën ndodhej vëllai im që kishte ndërruar jetë. U takuam në vendin ku ai ishte vrarë. Unë nuk e di se si ka ndodhur ngjarja, por një banor i zonës më tha që ai kishte hipur në një makinë si pasagjer. Sipas banorit, vëllai kishte hipur në një automjet “golf” të zi ku ishin dy persona. Ndërsa pranë fshatit Kolonjë, atyre u kanë bërë pritë dy persona. Fillimisht ata kanë qëlluar mbi personin që ndodhej në sedijen e parë të pasagjerit të automjetit. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të shoferit. Në këto momente kishte zbritur vëllai im nga makina dhe u ka thënë se ‘përse i vrisni’. Aty ata kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur, ndërsa shoferi i makinës kishte mundur të largohej. Nuk e kam idenë se kush kanë qenë ata personat. Emra konkretë nuk i di, por nga fjalët kam dëgjuar që kanë qenë ata të bandës së Lushnjës, që po gjykoni ju këtu”, tha dëshmitari.
Dëshmia e personit në kërkim
Pak javë më parë, Prokuroria paraqiti në gjykatë dëshminë e Gramoz Selamnit. Rrëfimi u lexua nga prokurori pasi dëshmitari ndodhet në Greqi. Selamni ishte marrë në pyetje në ambasadën tonë në Athinë në vitin 2006, kur ishte ende person në kërkim por askush nuk e kishte ndaluar. Prokuroria është e paqartë për vendndodhjen e dosjes mbi të cilën Selmani është shpallur në kërkim.
Dosja: Vrasja nga Dondollaku
Sipas dosjes penale të depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, vrasja me armë zjarri e shtetasit Idajet Beqiri është kryer nga Enver Dondollaku dhe Ilir Stërgu, të dy të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Lushnjës”. Organi i akuzës tha dje se të njëjtat deklarime që dha dje në gjykatë vëllai i viktimës Jakup Beqiri, ai i ka dhënë edhe gjatë hetimeve paraprake kur dosja penale ndodhej ende në Prokurori. Sipas provave dhe dëshmive të grumbulluara nga persona të tjerë, organi i akuzës tha se vrasja e Idajet Beqirit, më 22 shkurt 1998, dyshohet të jetë kryer prej Enver Dondollakut, i konsideruar si numri dy i “Bandës së Lushnjës” si dhe nga një tjetër anëtar aktiv i grupit, Ilir Stërgu.