E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakmarrja, 104 fëmijë të ngujuar në Shkodër

 

TIRANE - Gjakmarrja ngujon 104 fëmijë në Shkodër, nga të cilët pjesa dërmuese nuk kanë arritur të marrin as njohuritë minimale arsimore. Shifra u bë publike dje nga Forumi i Mendimit të Lirë gjatë prezantimit të projektit, “Identifikimi dhe regjistrimi i familjeve dhe fëmijëve të prekur nga ngujimi në qarkun e Shkodrës”. Prezantimi u bë nga gazetari Mentor Kikia, ndërsa merrnin pjesë shefi i marrëdhënieve me publikun në Ambasadën Amerikanë në Tiranë, Bix Aliu, kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Premçi, zëvendësdrejtori i policisë së shtetit dhe njëkohësisht kreu i hetimit në polici, Nikolin Bala, Drejtoresha e Arsimit në Shkodër, Ardita Ferketi, etj. “Si përfundim, rezulton se në njësitë vendore të qytetit të Shkodrës dhe komunat e përfshira në projekt janë gjithsej 112 familje të prekura nga ngujimi. Në to jetojnë 313 persona, ndër të cilët 104 të mitur. Mes të miturve 77 janë në moshën e arsimit të detyruar. Në detabazen e prodhuar ka informacion për nivelin e arsimit që ka marrë secili fëmijë”, pohohet në relacionin e përgatitur në përfundim të projektit. Sipas organizatorëve, identifikimi është shtrirë në pesë njësitë vendore në Bashkinë e Shkodrës, Bashkinë e Vaut të Dejës, si dhe komunat Ana e Malit, Bushat, Bërdicë, Dajç, Postribë, Rrethina, Hajmel, Vig Mnellë dhe Velipojë. Grupi i punës ka udhëtuar në cilëndo familje dhe ka mbledhur informacion, të cilin e kanë verifikuar më pas me informacionin që disponojnë për këtë problem njësitë e pushtetit vendor, policia dhe Drejtoria Arsimore. Nikolin Bala, ish-kryepolici i Shkodrës, pohoi se tregues i mirë i punës së bërë nga organet e rendit në këtë rreth ishin shifrat e krimeve që kishin si motiv gjakmarrjen. Sipas tij, në vitin 1998 në Shkodër kishte pasur 48 vrasje për gjakmarrje, vitin e kaluar dy, ndërsa pesë muajt e këtij viti nuk ka ndodhur asnjë e tillë. Edhe kryepolici shqiptar, Prençi, i cili ka drejtuar për disa kohë policinë e Qarkut Shkodër, pohoi gjithashtu se puna e mirë e bërë nga policia dukej jo vetëm nga shifrat e krimit, por edhe tendencën pozitive, të faljes së disa gjaqeve. Sipas tij, shifrat e paraqitura në përfundim të këtij projekti ishin reale dhe të njëjta me ato që dispononte policia. Ndërsa Drejtoresha e Arsimit në Shkodër pohoi se institucioni që ajo drejton prej tre vitesh ka nisur zbatimin e projektit “Shansi i dytë”, duke bërë që një pjese të fëmijëve të ngujuar t’u mundësohet arsimi në banesë.                             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›