Vrau nënën me thikë, gjykata mbyll në psikiatri 35-vjeçarin
TIRANE – Gjykata e Tiranës “mbyll” në psikiatri Alkent Birkon, i cili vrau nënën e tij në nëntor të vitit 2008. Një vendim i kësaj gjykate vendosi pak ditë më parë shtrimin e tij në spitalin psikiatrik të burgut. Dërgimi i të pandehurit Birko në psikiatri u kërkua nga Prokuroria e Tiranës bazuar në një akt-ekspertimi të gjendjes shëndetësore dhe mendore të personit të akuzuar. Gjatë shqyrtimit gjyqësor në Shkallën e Parë, me këtë pretendim të Prokurorisë ishte dakord edhe pala mbrojtëse. Në përfundim, gjyqtari Gjin Gjoni vendosi “caktimin si masë mjekësore për të pandehurin Alkent Birko, mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor, atë të shtrimit në spitalin psikiatrik të burgut”. Ngjarja e rëndë, që pati për autor 35-vjeçarin Birko, ndodhi në nëntor të vitit të kaluar në kryeqytet. I pandehuri i procesit gjyqësor u akuzua se masakroi me mjete të forta dhe me thikë nënën e tij 58-vjeçare. Birko prej disa vjetësh ishte përdorues i rregullt i lëndëve narkotike, çka dyshohet se kishte konsumuar edhe në kohën kur realizoi krimin. Ai ishte i papunë dhe për të blerë lëndën narkotike i kërkonte para nënës së tij pensioniste, çka bëhej shpesh herë objekt grindjeje mes tyre. Birko jetonte i vetëm me nënën e tij, pranë Medresesë në Tiranës, pasi prindërit ishin të divorcuar prej vitesh. Pas krimit ai u vetdorëzua në polici ku pranoi edhe autorësinë e vrasjes së nënës, duke pretenduar se gjithçka kishte ndodhur si pasojë e një debati dhe nxehje të momentit. Në seancën e masës së sigurisë, ai sqaroi në mënyrë të hollësishme se me sa gjakftohtësi kishte vrarë nënën e tij. a.b
Vrasja e nënës
Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, pas prangosjes nga policia, Birko tregoi hollësisht vrasjen. Sipas tij, ai kishte qenë gjatë gjithë kohës gjakftohtë duke treguar se pasi kishte vrarë nënën, kishte pirë një cigare dhe një kafe turke. Rrëfimi i tij në gjykatë ishte i njëjtë me atë të dhënë gjatë fazës së hetimeve nga i pandehuri për vrasje.