E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Shkodrës merr çmimin e parë

Përfundon Festivali i Orkestrave Frymore, i cili u realizua për të katërtin vit në Sarandë. Nata e pestë dhe e fundit e tij, solli me vete edhe surprizat më të bukura ndërsa u ndanë edhe çmimet e festivalit. Kryetari i jurisë, kompozitori i njohur, Thoma Gaqi, bëri publik vendimin për më të mirët e kësaj veprimtarie. Me çmim të parë u vlerësua orkestra frymore e Shkodrës, drejtuar nga Kujtim Aliaj, më çmime të dyta orkestrat frymore të Korçës e Vlorës dhe me çmim të tretë orkestrat frymore të Sarandës dhe Fierit. Mbrëmja e fundit u çel nga orkestra frymore "Manxaros", e ardhur nga Korfuzi. "Ishte një dëshirë e hershme e imja si drejtor artistik i festivalit dhe e Presidentit të tij, kryebashkiakut të Sarandës, Edmond Gjoka, që kjo trupë të bëhej pjesë e këtij aktiviteti që organizohet çdo vit në Sarandë, thotë Edmond Doko, drejtuesi i këtij aktiviteti dhe u realizua për herë të parë në këtë edicion". Formacioni orekstral "Manxaros" shoqërohej nga Janis Trivzias, president i shoqërisë filarmonike "Manxaros", e themeluar në vitin l880 në Korfuz. Në përshëndetjen e vet për publikun e festivalit, zoti Trivizas tha se kjo trupë jep kontribute të shquara në zhvillimin kulturor të mbarë Greqisë dhe është e kërkuar në mjaft shtete të botës, ku ka dhënë koncerte. Simbolikisht dhe me gjuhën e muzikës, këtë mesazh solli edhe çelja e koncertit të formacionit instrumental "Manxaros" në Sarandë, me ekzekutimin e himnit të Europës, për të vijuar me pjesë të repertorit grek dhe europian. Me shumë entuziazëm u prit nga publiku, që ishte më i shumtë se në çdo natë tjetër të festivalit, interpretimi i pjesëve të kompozitorit të madh grek, Miqi Theodhoraqi, si dhe kolazhi nga opera të njohura në botë, si "Aida,, "Nabuko","Rigoleto" etj.

E veçanta e natës së fundit dhe e krejt festivalit ishte se ai u mbyll me një koncert gala, që praktikohej për herë të parë. Ky program u përballua nga orkestra e festivalit, në të cilën u përfshinë instrumentistë të zgjedhur nga formacioni i Forcave të Armatosura, nga orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit (TKOB), orkestra frymore e RTSH-së etj. Në pjesën e parë të programit, drejtuar nga dirigjenti Halim Teqja, u interpretuan pjesë të lehta argëtuese, muzikë filmash të njohur dhe përshtatje të ndryshme nga repertor muzikor i njohur. Ndërsa në pjesën e dytë, drejtimi i së cilës iu besua nga klubi kombëtar i orkestrave frymore dirigjentit korfiat, Panajotis Vllahos, u kënduan së bashku arie, duete e kuartete nga këngëtarë lirikë grekë dhe shqiptarë. Me entuziazëm të veçantë u prit tenori Armaldo Kllogjeri, i panjohur më parë nga publiku sarandjot.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›