Shqipëria, për herë të parë në një konkurs në Iran
Sadik Spahia, dekan i fakultetit të Arteve Vizive në Akademinë e Arteve dhe studenti Evis Harlicaj, skulptor, marrin pjesë në Festivalin e 16 Ndërkombëtar të Arteve Vizive që organizohet në provincën e Golestanit, në qytetin Gorgan, në veri të Iranit. Në këtë festival të përvitshëm, Shqipëria merr pjesë për herë të parë. Irani organizon disa festivale ndërkombëtare si për filmin, poezinë, teatrin, ku marrin pjesë me dhjetëra artistë nga gjithë bota. Artistët nga Shqipëria do të konkurrojnë me punimet e tyre të cilat do të ekspozohen para pjesëmarrësve dhe dashamirësve të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Fondacioni iranian "Saadi Shirazi" në Tiranë ka mundësuar pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë në këtë festival ndërkombëtar një mënyrë kjo për të promovuar më gjerë kulturën shqiptare. Vepra më e re e skulptorit Sadik Spahia është përmendorja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, - Skënderbeu e cila u vendos para pak kohësh në qendër të qytetit të Peshkopisë.