Banda e re e Çoles
Kriminaliteti
Policia ka marrë masa të forta sigurie për dorëzimin në gjykatë të anëtarëve të rinj të Bandës së Çoles. Gjykata i la të gjithë me masën e arrestit burg pa afat
Aktakuza: Vëllezërit Idrizi, 6 plumba policisë
Gjashtë të arrestuarit e operacionit policor Sfida 2 kanë dalë dje para Gjykatës së Vlorës, duke u njohur me masën e sigurisë burg pa afat. Ata akuzohen se kanë kryer grabitje nën kërcënimin e armës, si dhe kanë qëlluar po me armë në drejtim të patrullës së policisë, gjatë grabitjes së një karburanti. Një nga anëtarët e rinj të Bandës së Çoles, Leonard Idrizi, ka pranuar vetëm tentativën për grabitjen e pikës së karburantit, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet për krijim të bandës kriminale. Ndërkohë, vëllai i tij, Joni Idrizi, ka mohuar çdo implikim në këtë grup, duke pohuar se nuk ka qenë në qytetin e Vlorës, por do të shkonte në Greqi.
Masa e sigurisë
Në fillim të seancës, prokurorja Silvana Lule lexoi akuzat dhe i kërkoi gjyqtarit të çështjes, Hektor Sinani, që të arrestuarit lihen në burg pa afat, deri në hetimin e plotë. Avokatët e të dyshuarve kërkuan masa më të lehta sigurie, të cilat nuk u pranuan nga gjyqtari Sinani, i cili pranoi kërkesën e prokurorisë. Ndërkohë, një nga vendimet e gjykatës ishte transferimi i akteve të kësaj dosjeje te Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Faktet e prokurorisë
Akuza e ngritur nga Prokuroria e Vlorës, për të gjashtë personat, ishte grabitje me armë, si dhe kundërshtim i forcave të policisë, duke qëlluar në drejtim të policisë gjashtë plumba. Në aktakuzën që lexoi prokuroria, përpara trupit gjykues, avokatëve si dhe të dyshuarve, rezultoi se: Rreth orës 03:00 të datës 22 gusht 2012, dy persona të armatosur dhe të maskuar me kapuç në kokë kanë shkuar në ambientet e karburant Alpet përgjatë rrugës transballkanike dhe nën kërcënimin e armëve tip kallashnikov kanë detyruar punonjësit e kësaj pike karburanti që të gjithë xhiron që kanë pasur me vete, tua dorëzojnë. Menjëherë është lajmëruar patrulla e policisë, e cila nuk ka vonuar as katër minuta për të shkuar te vendi i grabitjes. Ndërkohë, dy policët, të cilët dolën nga makina, sapo kanë tentuar të nxjerrin pistoletat, kanë parë se arma tip automatik është drejtuar nga ata dhe pa paralajmërim është qëlluar në drejtim të tyre. Policët, të cilët i kanë shpëtuar plumbave të armës, janë fshehur pas makinës dhe kanë pritur sa grabitësit të pushonin të shtënat dhe të largoheshin. Në automjetin e policisë janë gjetur pesë shenja plumbash, në krahun e majtë të saj janë gjetur katër, si dhe një vrimë në xhamin e parë dhe një në krahun e shoferit.
Heqja e kapuçit
Pasi janë larguar nëpër rrugicat e lagjes Pavarësia, dy personat që qëlluan në drejtim të policisë, gjithmonë me maskë në kokë janë afruar në këmbë te tregu në afërsi të godinës së sigurimeve shoqërore, ku pasi janë siguruar se nuk po i ndiqte askush, kanë hequr maskat dhe po largoheshin me hap normal. Ndërkohë kamerat e sigurisë së një biznesi aty pranë kanë fokusuar të gjithë momentin që dy personat po kalonin në këmbë me armë në dorë, por kësaj here pa maskë. Për të shpejtuar largimin nga vendngjarja, dy grabitësit kanë ndaluar një tregtar, i cili me një biçikletë po shkonte për te tregu i shumicës dhe i kanë marrë nën kërcënimin e armës biçikletën, e cila është gjetur më vonë nga policia.
Arrestimi
Pas ngjarjes, Leonard Idrizi së bashku me shokun e tij Marjo Metaj, janë strehuar në banesën e vëllezërve Elidon dhe Rexhino Aliu, aty ku u kapën nga policia. Vëllezërit Aliu, përpara trupit gjykues, janë shprehur se nuk dinin se për çfarë ishin arrestuar dhe se nuk kishin dijeni se Nardi dhe Mario kishin kryer grabitje, por i strehuan si të afërm të tyre. Ndërkohë dy personat e tjerë, Armando Likaj dhe Joni Idrizi, të cilët janë kapur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, prokuroria i konsideron si bashkëpunëtorë në tentativën e grabitjes së karburantit. Mikel Marsi
Banda e re e Çoles burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip