E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patentat e reja, heqje pikësh për çdo kundravajtje

Sipas specialistëve konsulentë që kanë propozuar këtë sistem, së shpejti pritet edhe dalja e tabelës së pikëve ku çdo kundravajtje rrugore do të ketë numrin e saj të pikëve që hiqen.

"Mbi bazën e shkeljeve që do të konstatojë policia rrugore do të vendosen në këtë tabelë që do të miratohet me vendim qeverie, pikët që hiqen për çdo kundravajtje. Ashtu sikundër do të ketë edhe benefite për ata drejtues mjetesh që nuk do të kryejnë kundravajtje. Në rast se brenda një afati kohor prej një viti, një drejtues mjeti nuk do të ketë asnjë kundravajtje do të ketë bonus pikësh",thotë specialisti rrugor Albert Koxha.

Edhe pse patentat me pikë nuk do të ndryshojnë tarifat e marrjes së lejes së drejtimit, sipas specialistëve drejtuesit e mjeteve që e kanë një lejedrejtimi do të duhet të tregohen më të kujdesshëm në rrugë.

"Është një masë që do të ketë goxha efekte pozitive sepse pas çdo penalizimi që do të marrin drejtuesit e mjeteve nuk do të mendojnë vetëm për vlerën e gjobës, apo një gjobë që duhet ta shlyejnë, por do të mendojnë para së gjithash për pikët e patentës të cilat zbriten", thotë Koxha për “AS”.

Nga të dhënat e deritanishme të drejtorisë së transportit rrugor, çdo drejtues mjeti do të ketë një sasi prej 20 pikësh dhe kur konstatohen shkelje të rregullave, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë. Pas kësaj njoftohet arkivi kombëtar, i cili automatikisht shënon pikët e mbetura në patentë.

Në rast të humbjes totale të pikëve, mbajtësi i patentës duhet t'i nënshtrohet provimit të marrjes së lejedrejtimit nga e para.  Shoferët duhet t'i nënshtrohen të njëjtit provim edhe në rastet kur pas një shkeljeje, e përsërit atë edhe dy herë të tjera brenda vitit. Në rast se shoferi nuk paraqitet për t'iu nënshtruar testimit brenda 30 ditëve, patenta e tij pezullohet pa afat. /Start/

                                                                                             2012-08-30 08:55
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›