Banda e transformatorëve, 1 në pranga, dy në kërkim
Tiranë- Një në pranga dhe dy në kërkim, për vjedhjen në seri të transformatorëve të energjisë në periferi të kryeqytetit. Burime zyrtare nga blutë bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit policor, të koduar “Errësira”, u bë arrestimi në flagrancë i Ardian Sulës, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar 2 herë për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Po punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim: Sherbet Tresa, 39 vjeç, lindur e banues në Shkozë Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim dhe Mehmet Dardha, 47 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Shkozë Tiranë. “Veprimet hetimore u kryen pas dokumentimit të veprimtarisë kriminale të këtij grupi, i cili kryente vjedhjet e transformatorëve të energjisë elektrike në zonën e Farkës, Krrabës, Baldushkut, Petrelës dhe Shkozës në Tiranë. Nga puna hetimore rezulton se, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur, si dhe tentuar të vjedhin, brenda një periudhe 3- mujore 5 transformatorë dhe gjeneratorë, në zona të ndryshme të kryeqytetit”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa mjete e vegla pune, si çelësa të ndryshëm mekanikë, pinca, darë, kaçavida, sqeparë, çekiçë etj, të cilat përdoreshin për të çmontuar transformatorët. “Nga shqyrtimi dhe analizimi i mekanizmit të ngjarjes, ka rezultuar se këta persona kanë pasur role të ndryshme në grupin kriminal ku bënin pjesë. Njeri stakonte energjinë elektrike, tjetri çmontonte transformatorët dhe një tjetër bënte shitjen e tyre “ – bëjnë të ditur burime nga blutë e kryeqytetit. Policia e Tiranës po vazhdon punën për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup. Th.S