Endacaku var veten në ish-fabrikën e këpucëve
Një 43-vjeçar i ka dhënë fund jetës së tij, duke u vetëvarur me litar në ambientet e ish-fabrikës së këpucëve, që ndodhet në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se viktima është identifikuar si Merko Shehu, 43 vjeç nga Tirana. Nga hetimet e para ka rezultuar se Shehu ka përdorur një litar, të cilin e ka lidhur në një prej kollonave të ndërtesës ku dhe i ka dhënë fund jetës së tij. Nga ana e saj, Policia e Tiranës mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi verifikimet për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje. Të marrë në pyetje, banorët e zonës kanë treguar se Shehu ishte endacak dhe shumicën e kohës jetonte në fabrikë, ku dhe ishte i punësuar si roje. Ai njihej gjithashtu edhe si konsumues alkooli. Pas dëshmive të mbledhura, blutë e kryeqytetit kanë ngritur dyshimet se ngjarja ka ardhur pas gjendjes së depresionit, që ka kaluar viktima.