E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët e PS me dy shtabe elektorale

31/03/2005  Veç KZE-ve socialistët do kenë dhe strukturë mbështetëse

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste gjatë zhvillimit të fushatës së tyre elektorale do të jenë të mbështetur nga dy shtabe elektorale. Burime në PS-së janë shprehur për "Metropol", se pas konstituimit të Komiteteve Zonale Elektorale, këto struktura do të punojnë për kandidatin që PS-ja do të përcaktojë për çdo KZE. Kjo strukturë do të jetë e përcaktuar nga partia. Gjithashtu, kandidatët kanë të drejtë të kenë dhe shtabet e tyre elektorale për të zhvilluar fushatën paralel me atë të KZE-së. Kjo do të bëhet për të rritur sa më shumë aksesin e PS-së dhe të kandidatëve në elektorat. Ndërkohë, që është në përfundim procesi i konstituimit të KZE-ve, në të gjithë vendin në bazë të parimit "një anëtar, një votë" këto struktura do të menaxhojnë fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare. Kjo strukturë do të jetë përgjegjëse dhe për rezultatin e këtyre zgjedhjeve për PS-së. Ndërkohë që, edhe pse nuk është përcaktuar akoma procedura se si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve burimet shprehen se për përzgjedhjen e tyre nuk do të aplikohet parimi "një anëtar, një votë", por do të përdoret forma tradicionale e zgjedhjes me disa ndryshime. Një problem, që do të shikohet me kujdes nga strukturat qendrore të partisë, do të jetë dhe financimi i kandidatëve nga biznese të ndryshme. Kështu, çdo fond që do të afrohet nga bizneset do të deklarohet më parë në strukturat qendrore të partisë dhe më pas procedurat do të ndjekin rrugën ligjore për financimet elektorale. Kjo, sipas burimeve, do të bëhet për të evituar të gjitha debatet e mundshme si nga brenda partisë, ashtu dhe nga forcat opozitare, natyrisht për të qenë korrekt dhe me ligjin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›