Banda me “Facebook”, dy studentë në pranga, bllokohen 17 motorë
Policia e Tiranës arreston gjashtë të rinj, të cilët akuzohen për vjedhjen e dhjetëra motorëve në Tiranë. Mjetet e vjedhura i reklamonin në një faqe në ‘Facebook’
Tiranë Gjashtë persona, mes të cilëve dy studentë për menaxhim biznesi dhe arkitekturë, kanë rënë në pranga me akuzën e një grupi të strukturuar kriminal, të implikuar në vjedhjen e motorëve në Tiranë. Policia, deri në orët e mëngjesit kishte sekuestruar 7 motorë të markave të ndryshme, ndërsa deri në orët e pasdites numri i motorëve të vjedhur shkoi në 17. Burimet thanë se grupi kishte një organizator dhe një person që merrej me vjedhjen e motorëve, kryesisht në kryeqytet. Kishte edhe një tjetër person që grumbullonte, lyente dhe modifikonte motorët në një servis në banesë në Tiranë dhe dy persona të tjerë, të cilët kryenin shitjen e tyre në Durrës dhe qytete të tjera të vendit. Të arrestuarit kishin edhe një faqe në ‘Facebook’, me titull “të fiksuarit pas motorëve”, ku publikonin foto të motorëve, kontaktet dhe çmimet e tyre. Deri në orët e pasdites, shërbimet dhe oficerët e hetimit të krimit të Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës vijonin operacionin me kontrolle në banesa dhe veprime për gjetjen e motorëve të vjedhur dhe të shitur më pas. Burime pranë policisë thanë se emrat e të arrestuarve dhe rolet e secilit prej tyre pritet të bëhen publike në një deklaratë për mediat. Grupi i të rinjve të arrestuar, sipas hetimeve rezulton të jetë një prej më të mëdhenjve në Tiranë, pasi deri tani është bërë i mundur dokumentimi i një numri të madh vjedhjesh që dyshohet se mbajnë autorësinë e tyre. Policia thotë se hetimet vijojnë për zbardhjen e gjithë rrjetit që kishte si objekt vjedhjen, modifikimin dhe më pas shitjen e motorëve, veprimtari kjo që dyshohet se u ka sjellë të ardhura të konsiderueshme të arrestuarve, mes të cilëve ndodhen edhe dy studentët.