E Shtunë, 31 Tetor 2026

U denoncua si tutor, gjykata e shpall të pafajshëm

Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të Agron Caros, i cili u akuzua nga e dashura e tij se e kishte shfrytëzuar për prostitucion në Itali dhe Francë

Tiranë Një i akuzuar për trafikim femrash dhe shfrytëzim prostitucioni është shpallur i pafajshëm nga Gjykata për Krime të Rënda. Ditën e djeshme, një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të Agron Caros, pasi nuk provohet të ketë kryer vepër penale. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës rezulton se i pandehuri Caro është shpallur i pafajshëm për akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe “trafikimit të femrave”. Pas shpalljes të pafajshëm të Agron Caros, gjykata gjithashtu ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia, ku qëndron që prej vitit 2008, kur vajza me inicialet K.C e ka denoncuar atë për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas denoncimit të vajzës, historia e saj me Agron Caron ka nisur në vitin 1997, kur i pandehuri i ka propozuar martesë dhe një jetë më të mirë në Itali. Sapo kanë mbërritur në vendin fqinj, vajza thotë se është detyruar të ushtrojë prostitucion nëpërmjet dhunës dhe presioneve nga i pandehuri. Në dëshminë e saj, vajza tregon se ka vazhduar prostituimin deri në vitin 1998 në Itali, ndërsa një vit më pas i dashuri i saj e ka dërguar në Francë. Sapo kanë mbërritur në Francë, Agron Caro është arrestuar ndërsa vajza është deportuar në Shqipëri. Vajza gjithashtu ka treguar se ka shkuar sërish në Itali për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 2003, pasi ajo priste një fëmijë. Edhe pas lindjes së fëmijës, vajza ka treguar se ka shkuar sërish në Itali me të dashurin e saj, i cili nuk e ka pranuar atësinë e fëmijës. K.C ka dëshmuar se ajo është shfrytëzuar si prostitutë deri në vitin 2007, kur ka ardhur në Shqipëri dhe ka denoncuar Agron Caron për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim. Por këto akuza nuk janë provuar, sipas vendimit të gjykatës, e cila është shprehur se nga shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje nuk provohet që i pandehuri ka kryer veprat penale, për të cilat akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›