Kreu i ILDKP: Zyrtarët e korruptuar fshehin pasurinë në emër të të afërmve
Adriatik Llalla thotë se gjithnjë e më shumë, pasuria e zyrtarëve fshihet tek dhuratat apo huadhëniet te personat e lidhur me ta. “Shqetësim për ne vazhdon të mbetet problemi i trajtimit të çështjeve që ne kallëzojmë, të cilat pushohen në sistemin e drejtësisë”
Tiranë Bashkëpunimi me organet e drejtësisë për hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të denoncuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vazhdon të mbetet një çështje mjaft delikatë. Kreu i ILDKP-së ka vendosur edhe një herë theksin në këtë pikë, duke deklaruar se mungesa e ndëshkimit të zyrtarëve që kanë fshehur pasurinë ka krijuar paprekshmërinë e zyrtarëve të korruptuar. Adriatik Llalla tha në një intervistë për “Top Channel” se për institucionin që ai drejton, vazhdon të mbetet shqetësim trajtimi që drejtësia u bën rasteve të denoncuara prej tyre. “Shqetësim për ne vazhdon të mbetet problemi i trajtimit të çështjeve që ne kallëzojmë në organin e Prokurorisë, e që trajtohen më pas nga institucionet e drejtësisë, pasi mjaft raste të kallëzuara prej nesh pothuajse pushohen në sistemin e drejtësisë”. Sipas tij, kjo mënyrë trajtimi të këtyre çështjeve ka sjellë pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të denoncuar. “Për rrjedhojë është krijuar një mantel paprekshmërie tek zyrtarët e korruptuar, duke bërë që ata të ndihen mbi ligjin, mbi qytetarët e thjeshtë”, - tha kreu i ILDKP-së. Një tjetër çështje që lidhet me hetimin dhe zbulimin e rasteve të fshehjes së pasurisë, e cila gjithashtu kërkon bashkëpunim mes institucioneve, është edhe skema që zyrtarët përdorin për të fshehur asetet. Adriatik Lalla tregon se cilat janë metodat që përdorin zyrtarët për fshehjen e pasurive të tyre. “Problem shqetësues vijon të mbetet fakti se zyrtarë të korruptuar, pasurinë e tyre e fshehin në emër të personave që lidhen me ta. Dhe problemi ynë që vijon është fakti që duhet parashikuar detyrimi ligjor, që personat e lidhur me zyrtarët të kenë detyrimin e deklarimit të pasurisë. Pasi gjithë pasuria e fituar në mënyrë të kundraligjshme fshihet në lidhjet farefisnore apo shoqërore të zyrtarëve që e krijojnë pasurinë në mënyrë të paligjshme”, - deklaron Lalla. Sipas tij, tashmë është konstatuar nga deklarimet periodike të subjekteve, se është kthyer në fenomen argumentimi i të ardhurave në formën e dhuratave nga persona të lidhur me zyrtarët. “Dhuratat janë kryesisht vetëm lekë, në valutë, në formën e dhuratave apo të huamarrjeve, çka sjell domosdoshmërinë e amendimit të ligjit. Dhuratat dhe huamarrjet janë kthyer në një fenomen që po merr përmasa të gjera. Shumë zyrtarë që mos të krijojnë dyshime për pasurinë e fituar, e deklarojnë se e fitojnë në formën e dhuratave dhe huamarrjeve në personat e lidhur me ta”, - deklaron Llalla. Kreu i ILDKP-së thotë se institucioni që ai drejton nuk ka fuqi ligjore për të ndëshkuar rastet e personave të lidhur me zyrtarë që kanë pasuri të dyshimtë. “Pamundësia jonë ligjore për të marrë masa ndëshkuese ndaj personave të lidhur me zyrtarët ka bërë që në një farë mënyre ata t'i shmangen përgjegjësisë ligjore”, - tha Lalla. Nisma ligjore për amendimin e ligjit që do të forcojë mekanizmin e hetimit dhe ndëshkimit të personave të lidhur me zyrtarët është duke u diskutuar në parlament, duke lënë kështu pezull një pjesë të rëndësishme të procesit të hetimit për zyrtarët që fshehin pasuritë. Megjithatë, z.Llalla thotë se në numrin e telefonit të këtij institucioni ka një fluks denoncimesh nga qytetarët, të cilët njoftojnë ILDKP-në për raste kur zyrtarët fshehin pasuri apo janë në konflikt interesi. Këto denoncime, sipas kreut të ILDKP-së janë një risi pozitive, e cila tashmë është pjesë e rëndësishme e punës së këtij institucioni.