E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda muzikore Vatra dhe themeluesit Thoma Nasi

Thoma Nasi emigrant në Amerikë mblodhi 35 instrumentistë dhe krijoi më 1917 Bandën Muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. U blenë veglat më të mira siç kishin blerë baballarët e tyre armët më të mira. Një shekull më vonë, bandës dhe themeluesit të saj i njihet kontributi në Luftën e Vlorës dhe në edukimin muzikor në vitet 20.

Paraardhësit e muzikantëve frymorë që shërbejnë sot në ceremonialin e shtetit, paradat ushtarake dhe festat kombëtare, ishin ca emigrantë që gjashtë ditë të javës punonin fabrikave dhe fermave bujësore amerikane, dhe të dielave stërviteshin në instrumente. Këndonin Himnin Kombëtar dhe Marsejezën. 

I drejtonte Thomas Nashi, apo Thoma Nasi nga Drenova i diplomuar për flaut në Konservatorin e Bostonit. Ai mblodhi 35 instrumentistë, 10 prej të cilëve ishin nga Drenova, dhe krijoi më 1917 në Masaçusets Bandën Muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. U blenë veglat më të mira siç kishin blerë baballarët e tyre armët më të mira.
Sot kanë mbetur reliktet.

Thomas Gregor Nassi vjen me bandën “Vatra” në Shqipëri për të mbështetur Luftën e Vlorës më 1920-ën dhe udhëton nëpër Jug në një turne koncertesh.
Për pesë vjet, bashkë me të shoqen Olimpia, ai themeloi e organizoi jetën koncertore dhe edukimin muzikor në vend.
Anëtarët e Vatrës kontribuan në themelimin e Orkestrës Frymore Kombëtare të Shtetit Shqiptar, sot Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura.

Thoma Nasi jetoi deri në 1964 në Masaçusets ku kishte themeluar gjithashtu Orkestrën e Filarmonisë.
Gjysmë shekulli më pas Ministria e Mbrojtjes u dorëzon trashëgimtarëve të Thomas Nasit dhe Bandës “Vatra” medaljen për “Shërbime të Shquara”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›