E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genti optimist në luftë me sëmundjen

"Jo mos qaj ti o njeri i vetmuar, se jeta dorën ty nuk ta dha...".
Kënga e tij që bëri jehonë në vitet e para postkomuniste, duket se do të jetë himni i këngëtarit të madh Gentian Demaliaj këto kohë. Ai nuk është dorëzuar e as nuk është vetëm!

Pas katër muajsh luftë me sëmundjen e rëndë, krijuesi i hiteve, një ndër zërat më të dashur të publikut shqiptar është ende optimist. Shëndeti i lig nuk e ka mposhtur as nuk e ka gjunjëzuar. Përkundrazi, miqtë e tij, rrëfejnë se ai është ende i fortë dhe plot shpresa.

Gent Demaliaj është solisti i "Djemve të Detit", një nga grupet shqiptare të rokut, krijuar që në vitin 1989 e mbase një ndër më të rrallët e muzikës sonë.

"Ai është miku im i ngushtë, është pothuaj im vëlla", e nis rrëfimin për GSH shoku i tij prej 13 vitesh, Ilir Veliu, duke shpresuar se e nesërmja do ta gjejë ndryshe Gentin.
 

"Ka që prej muajit janar që ka pasur probleme me shëndetin. Fillimisht iu desh të bënte një ndërhyrje për shkak të shqetësimeve që i jepte shpretka. Më pas, është bërë operacion sepse pësoi hemoragji cerebrale. Kjo ndërhyrje doli me sukses dhe e mori veten. Tani ai vuan nga një sëmundje e rëndë për të cilën po kurohet.

Qeveria shqiptare ka dhënë një shumë modeste për kurimin e tij, por kujdesi shëndetësor kushton shumë: "Deri tani ka paguar 3000 euro një seancë kimioterapie. Sigurisht që është shifër e lartë, por përveç parave që ka pasur vetë, e kanë ndihmuar miqtë dhe të afërmit që i gjenden pranë në çdo moment. "

"Gjendja shpirtërore është e mirë, është shumë i fortë dhe optimist. Ai është një njeri me guxim të jashtëzakonshëm, nuk do t'ia dijë. Mund të them se i ngjan shumë këngës "Mos qaj" kendruar nga ai", ka thene Veliu, duke treguar se aktualisht, Genit eshtë në Tiranë, ku jeton me nënën e tij, me bashkëshorten dhe me vajzën, Edean, që e ka këngëtare të talentuar. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›