E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banda në kërkim të parave

18/05/2005  Pas rrëmbimit të Klementina Kantonit, qëndron krimi i organizuar, ish-militantë të regjimit të talebanëve,dhe ndoshta edhe terroristë të Al Kaedas

Eksportimi i industrisë së rrëmbimeve në versionin iraken në Afganistan mund të lexohet në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë, ashtu si edhe në rastin e Irakut, është simptomë e një faze vështirësie nëpër të cilën po kalon strategjia terroriste

Pikërisht zgjedhja e një pengu italian lë të kuptohet që bëhet fjalë për një shpërblim të garantuar. Fatkeqësisht, në Irak, Italia ka tashmë famën e një vendi që është gati të paguajë shifra të larta, vetëm për të liruar qytetarët italianë të marrë peng. Në dhjetë muaj, shuma e kërkuar për lirimin e pengjeve është dyfishuar

Pas rrëmbimit të Klementina Kantonit është një rrjet i tërë i krimit të organizuar, ish-militantë të regjimit të kaluar të talebanëve, dhe ndoshta edhe terroristë të Al Kaedas. Një realitet që e kemi parë një herë të ndodhë më 28 tetor të vitit 2004, kur Aneta Flanigan, Anxhelito Najan dhe Shqipe Habibi, tre funksionarë të Komisionit Zgjedhor të OKB në Kabul, u rrëmbyen krejt papritur. Dhe, menjëherë pas lirimit të tyre më 23 nëntor 2004, autoritetet afgane nënvizuan se bëhej fjalë për “një bandë kriminelësh, ndoshta ndonjë fraksion i talebanëve, që kishin kërcënuar se do të vrisnin të tre pengjet”.

Për saktësi, ai rrëmbim atëherë u mor përsipër nga mulah Ishak Manzur, komandant i “Ushtrisë myslimane”. Nën një prej mijëra siglave të terrorit, lëshoi një seri ultimatumesh. Por, duket se në fund u kënaq me një grusht parash. Bashkëveprimi ndërmjet krimit të organizuar, terrorizmit autokton dhe atij ndërkombëtar ishte zbuluar edhe nga gazetarët francezë, Kristian Kesno dhe Zhorzh Malbruno, pas rrëmbimit të tyre të zgjatur në Irak.

Por ishte vërejtur edhe pas lirimit të bashkatdhetarëve të Kantonit, Salvatore Stefio, Umberto Kupertino dhe Mauricio Agialiana, të cilët ishin mbajtur peng nga një grup miks, mes ish-agjentësh të Sadamit dhe muxhahedinësh të Bin Ladenit.

Eksportimi i industrisë së rrëmbimeve në versionin iraken në Afganistan mund të lexohet në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë, ashtu si edhe në rastin e Irakut, është simptomë e një faze vështirësie nëpër të cilën po kalon strategjia terroriste dhe revoltës së armatosur kundër qeverisë së ligjshme të Hamid Karzait, të mbështetur nga një koalicion i gjerë ndërkombëtar. Pikërisht sulmet ndaj individëve, duke përdorur si levë ndjeshmërinë dhe debulesën e perëndimorëve përballë një jete të kërcënuar, pasqyron dështimin e terroristëve në frontin parësor të luftës.

Në vitin e fundit, talebanët kanë humbur jo më pak se 180 vetë në përplasjet me forcat shumëkombëshe, të cilat janë përqëndruar dhe kontrollojnë zonat malore në kufi me Pakistanin. Pikërisht këtu, më 2 maj qeveria pakistaneze arriti të kapë Abu Al-Libi, një ushtarak i Al Kaedës, i konsideruar numri tre i organizatës së terrorizmit islamik.

Nga ana tjetër, pikërisht zgjedhja e një pengu italian, lë të kuptohet që bëhet fjalë për një shpërblim të garantuar. Fatkeqësisht, në Irak, Italia ka tashmë famën e një vendi që është gati të paguajë shifra të larta vetëm për të liruar qytetarët italianë të marrë peng. Në dhjetë muaj, shuma e kërkuar për lirimin e pengjeve është dyfishuar. U kalua nga afro 3 milionë euro për lirimin e Stefios, Kupertinos dhe Aglianës, në 4 milionë euro për lirimin e Simona Parit dhe Simona Toretas, deri në 6 milionë euro për lirimin e Xhuliana Sgrenas. Zyrtarisht nuk quhen shpërblime, por “kompensim për burimet”. Por thelbi nuk ndryshon.

Ngjarja

Një bandë kriminale afgane ka marrë përsipër rrëmbimin e Clementina Cantonit, italianes së rrëmbyer të hënën në mbrëmje në Kabul. Sipas të dhënave të nxjerra nga policia vendase, rrëmbyesit kërkojnë, në këmbim të lirimit të vullnetares nga Italia, lirimin e kapos së tyre si dhe disa të burgosurve të tjerë.

Kapobanda quhet Sela Mohamed. Këtë e ka bërë të ditur dje Abdul Jamil, drejtor i departamentit të Hetimeve Penale në policinë e Kabulit, i cili më herët e kishte përjashtuar pistën e terrorizmit islamik. “Grupi kriminal i Tela Mohamed, i cili ndodhet në qelitë e policisë, ka kontaktuar me ne dhe ka marrë përsipër rrëmbimin e qytetares italiane”, shpjegoi dje Jamil, i cili tha se rrëmbyesit janë të njohur për policinë. Qeveria afgane ka thënë se nuk është aspak e gatshme që të hyjë në tratativa me rrëmbyesit. Ndërkohë, ambasada italiane në Kabul është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›