Bandat frymore, për të katërtin vit në Sarandë
Për të katërtin vit me radhë, në qytetin e Sarandës do të organizohet festivali i orkestrave frymore, "Albanian Wind Band Festival". Nga data 7 deri më 11 korrik, 16 banda nga vendi dhe bota do të jenë pjesë e jetës artistike në jug të vendit. Përveç Sarandës, bandat frymore do të jenë edhe në Himarë në datat 8-9 korrik. "Festivali i sivjetshëm do të ketë një dimension të ri. Do të marrin pjesë të gjitha bandat e vendit tonë, sikurse edhe ansamble të ndryshme frymore. Ndërkaq do të ketë një pjesëmarrje më të madhe edhe nga rajoni e më gjerë. Kemi marrë konfirmime nga Greqia, Holanda dhe Italia", shprehet Edmond Doko, drejtori i festivalit. Teksa flet për një festival të kthyer në traditë, Doko shprehet se "mjeshtrit frymorë nga i gjithë vendi dhe festivali janë ndërkohë një realitet i rëndësishëm artistik dhe mbeten një faktor i rëndësishëm për rritjen e nivelit artistik të orkestrave frymore që kanë "fatin" të jenë themeli i kulturës muzikore kombëtare. Festivali ynë nuk është vetëm aktivitet kombëtar, por me dimension rajonal e më gjerë. Përpjekja e puna jonë e përbashkët është e motivuar nga dëshira për t‘u integruar në zhvillimet kulturore e jo vetëm, që koha e nevoja për prosperitetin e vendit imponon". Banda e parë frymore në Shqipëri është krijuar në Shkodër më 1878-ën nga italiani Xhani Canale. Tre vjet më vonë e drejton këtë orkestër i shquari Palok Kurti e për më shumë se gjysmë shekulli trashëgimtarë të familjes Kurti drejtojnë orkestra frymore në Shkodër.