E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirizmi poetik i Gjekë Marinajt

Krijimtaria e derisotme poetike e shkrimtarit të njohur Gjekë Marinaj përfaqësohet me vëllimet poetike "Mos më ik larg", "Infinit" dhe së fundmi me përmbledhjen poetike "Lutje në ditën e tetë të javës", të botuar kohë më parë pranë shtëpisë botuese "Faik Konica" në Prishtinë. Që në fillim të këtij vështrimi duhet konstatuar se shkrimtari shqiptar Gjekë Marinaj, i cili i ka kaluar kufijtë kombëtarë dhe europianë, në mënyrë besnike ka ndjekur nismën e tij krijuese, duke manifestuar shenja të avancimit të lirikës së tij, apo ndonjëherë edhe shenja të dukshme të përsosmërisë së saj. Kritika bashkëkohore, vlerat ideo-artistike të vargut të Marinajt i vë në të njëjtën nivel me të Camajt, Reshpjes, Agollit e shumë lirikëve të tjerë, që tashmë kanë krijuar emër në letrat shqipe dhe më gjerë. Poetikën e Marinajt e karakterizon një lirizëm i fuqishëm dhe natyrshmëri e thellësishme poetike. Të shkruash për përmbledhjen e fundit me poezi të Marinajt, që titullohet "Lutje për ditën e tetë të javës", e të mos prezantojmë mendimin e shprehur të kolosit të letrave shqipe, të Ismail Kadaresë, apo edhe të shkrimtarëve të tjerë evropianë, si Frederik Turner, kandidat për çmim "Nobel" në letërsi, apo të shkrimtarit Wole Soynka, fitues i çmimit "Nobel" në letërsi, 1986, është një moment që nuk mund t‘i shmangemi, nuk u shmangemi as kësaj radhe. Shkrimtari Ismail Kadare, duke dhënë vlerësimin e tij në librin e Marinajt "Lutje në ditën e tetë të javës", për këtë vlerë vërtet të çmueshme të letërsisë sonë shprehet se Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës dhe shton se: "Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë europianë. Në universin e tij poetik, ka theksuar Kadare, ka një harmoni të mrekullueshme midis shpirtësisë ballkanase, më e vjetra e kontinentit dhe asaj planetare. Siç ndodh shpesh me poetët e vërtetë, kjo harmoni kalon nga jeta te vepra poetike dhe anasjelltas. Kështu për shembull, kur lexojmë poezinë e tij për kalimin e Akeronit, lumit të skëterrës, atë që ndan jetën nga vdekja, s‘ka si të mos na kujtohet episodi prekës, ku ai, djalosh i ri, u arratis nga Shqipëria totalitare më 1990-ën, duke kapërcyer me ‘not‘ një lumë që shërbente si kufi", shprehet në vlerësimin e tij, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare. Ndërkaq, shkrimtari i madh, Fridick Turne, duke folur për vlerat e poezisë së Marinajt, shkruan: "Në një botë ku poezia tingëllon si një mplakje, e rraskapitur dhe si një luftëtare u dorëzua në mbrojtje të pikave të fundit të sensibilitetit letrar, Gjekë Marinaj shpërthen në skenë me tërë shkëlqimin e rinisë, me energjinë erotike dhe maturinë e një poeti të pjekur. Ai na tregon në mënyrë që ta shohim botën përtej realizmit magjik, përtej mendjemadhësisë metafizike, madje dhe përtej surealizmit ngjyrëplotë të Europës Lindore, që tregon akoma agun shpresëplotë të civilizimit human", është shprehur shkrimtari Turner. Edhe shkrimtari Wole Souinka, fitues i çmimit "Nobel" në letërsi, për veprën e Marinajt, ndër të tjera shprehet se nëse Marinaj vazhdon të shkruajë kështu, ka gjasa se një ditë jo të largët e gjithë bota letrare do ta kuptojë domethënien e fjalëve vlerësuese të prof. Kuye-s për Gjekën, thekson ai.

Poezia e Marinajt është autentike, ajo është mishërim i invencionit, ose observimeve, i mundësive të pafundme të sintezave asociative, i gërshetimit të nuancave të ndryshme të të shprehurit, elementet diskursive dhe imagjinatën e frytshme e të paanë. Librit të Marinajt, "Lutje në ditën e tetë të javës", i paraprin një hyrje e studiuesit të spikatur të letrave shqipe, Ndue Ukaj. Libri është i ndarë në një strukturë ciklike të veçantë, si: Autoportreti i avancuar, Mesnatë pa datë në kalendar, 24 orë dashuri, Lutjet e së dielës, Duart e nënës, Rrëfimi i Rozafës, Sugjerim me zë të ulët Ailuropoda në gjyqin e fjalës dhe Labirintet e mendimeve të tangunit.

Te libri i poetit Marinaj është shkrirë një pjesë e biografisë së tij në biografinë e qenies. Qenia, e cila paraqitet në vargun e Marinajt nuk është e përcaktuar. Marinaj ka lënë një hapësirë që t‘i mundësojë lexuesit identifikimin e mesazhit dhe të perceptimit të vargut. Ai ia ka lënë në dorë vetë lexuesit ta kuptojë asociacionin. Asociacioni është në nivelin e vet si mjet te ky poet:

Atmosfera ime është një shtresë e hollë jete a vdekje Hidrosfera më mbetet tërësia e djersëve dhe gjakutBiosfera më nxit neutronet të veprojnë së bashku, më ndihmon litosferën: fytyrën që mbroj nga turpiI parrëfyer para kodeve të errësirës së KaositUrrej nga afër efektet e çdo prelude për pushimShkatërrimin e njërit si mundësi e qetësisë së tjetrit

Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirëTë jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr. (Poezia, "Autoprotret", f.19).

Cikli i dytë i përmbledhjes, "Mesnatë pa datë në kalendar", sjell poezi me vlera të larta ideo-artistike, në të cilat metafora, si figurë stilistike përshkohet në tërë vargjet. Edhe mesazhet që shpalos autori janë tepër interesante dhe japin për të kuptuar shumëçka për jetën, po ashtu edhe për vdekjen dhe kozmosin në përgjithësi. Poezitë e Marinajt në këtë pjesë të librit përshkohen nga shumë emocione, që poeti i ndjen në qenien e tij duke përcjellë te bota përjetimet e tij, në trajtat e shkrimit.

Edhe në ciklin e katërt, "24 orë dashuri", vërejmë poezi të një ligjërimi të drejtpërdrejtë lirik, prandaj edhe ndjeshmëria kaq e madhe e nyjëtimit të temave dhe motiveve që ngërthehen në këtë pjesë të librit, janë vlerë e shprehjes qartësuese, përmes një poetike ku poeti shpreh një transparencë të kristaltë. Një fuqi shprehëse mesazheve të këtyre poezive u japin idetë, imazhet dhe mesazhet që ngërthejnë vargjet e goditura dhe të brumosura. Një poezi me fuqi të posaçme shprehëse vërehet sidomos te poezitë, si "Afërdita", "Qiej të përflakur", "Dusitës në 14-vjetorin e martesës", "Muzg", "Më ëmbël seç puth vesa bjeshkën", "24 orë dashuri, Dusitës" etj,. Poezitë e ciklit të pestë, "Lutjet e së dielës", karakterizohen për rrafshin meditues të jashtëzakonshëm, ku perceptimet poetike dhe idetë shkrihen në trajtë universi. Në ciklin "Duart e nënës" janë të konceptuara kryesisht poezi që himnizojnë figurën e nënës, tematikë mjaft e shprehur te shumë poetë tanë. Poezitë si "Duart e Nënës", "Në ditëlindjen e nënës", "Himn për prindërit e mi", "Mall për nënën" etj., i karakterizon një ngrohtësi e thellë e ndjenjës.

Në poezitë e konceptuara në ciklin vijues "Rrëfimi i Rozafës", autori Marinaj figurën mitike të Rozafës e sheh "mjaft origjinale" (Mujë Buçpapaj). Po ashtu, edhe figurat e tjera që janë të përfshira brenda këtij cikli, si Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza), të Skënderbeut etj., autori mëton të rikrijojë një dialog poetik, duke e vënë shpeshherë edhe në brendinë e funksionit mishërues poetik: O ZotSa vështirëJeta e saj

I mbylli kllapatPrapëseprapëMidis tyreAjo mbetiSi një ekuacion i pazgjidhur deri në fund. (Poezia "Nënë Tereza", f. 100). Edhe poezitë e tjera të këtij cikli, siç janë "Shkodra", "Empati për Klinën", "Me kohën e mbështetur në prehër të Kosovës", "Hijet e Klinës", "Për Prend Buzhalën", "Retë", "Luftës së Deçiqit" etj., janë poezi mjaft të realizuara, të cilat brenda vetes ngërthejnë etikën artistike, po ashtu edhe figuracionin filozofik.

Një frymëzim i thellë poetik, po ashtu vërehet edhe te ciklet vijuese të këtij libri, si "Sugjerim me zë të lartë", "Ailuropoda në gjyqin e fjalës" dhe "Labirintet e mendimeve të tangunit".

Sikur poezitë e cikleve të mëparshme, po ashtu edhe të këtyre të cikleve të fundit i përshkon e njëjta frymë, po ashtu edhe i njëjti vokacion. Poezitë e Marinajt, të kapërthyer brenda këtyre koncepteve, sendërtojnë synimet krijuese, pikësëpari me qartësinë, komunikimin dhe përjetimin e saj të drejtpërdrejtë me krijimin e një mozaiku tematik e motivor. Një fuqizim shprehës dhe motivor e hasim sidomos te poezitë si "Flluska mbi Adriatik", "Si na vajtonte gjyshja ime ne emigrantët në 1990-ën", "Shqipëri", "I paimunitet në Shqipëri", "Fytyrat në rrethin e dytë të purgatorit", "Fishtës", "Sot u lind Fridrik Reshpja", "Nëna e poetit Luigj Çekaj dha shpirt", "Migjeni" etj. Përkushtimi dhe dhembja janë një simbiozë e ndërlidhur shumë fuqishëm, që i japin edhe më shumë jetë poezisë së Marinajt, edhe si vlerë artistike, por edhe si vlerë motivore. Atdhedashuria në poezitë e Marinajt është shprehur në formë filozofike, në universin e së cilës shpalos peshën e etikës që ka krijuesi për imazhet, idetë dhe mesazhin që ngërthen vargu i tij, por edhe me shprehjen që qenësinë e vet ta ruajë kudo. I gjithë libri në tërësi përbën një metaforë të madhe të jetës dhe të pasjetës, ku gjithherë ngarend për të kuptuar misterin dhe sublimen, tragjiken dhe të zakonshmen etj. Kështu, në përfundim mund të konstatojmë se poeti Gjekë Marinaj me poezinë e tij i sjell një model të rrallë poetik lexuesit shqiptar dhe letërsisë shqipe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›