Tragjedia në Gjirokastër, pronari i firmës: Kisha dijeni për rrezikun
GJIROKASTER - Gjyqi në ngarkim të 7 të pandehurve për rrëzimin e pallatit më 9 nëntor 2008 në Gjirokastër, që shkaktoi 3 të vdekur, po i afrohet fundi. Ajo çfarë bëri përshtypje gjatë gjyqit ishte deklarata e presidentit të firmës së ndërtimit “Arti” shpk., Sotiraq Janora. Ky i fundit i ka befasuar të pranishmit në sallën e gjyqit dhe sidomos prokurorët e çështjes duke i “çarmatosur” ata me deklaratën e djeshme, se ishte në dijeni për rrezikun që i kanosej ndërtesës së banimit disa metra më tej larg objektit që ai ndërtonte. “Ngjarja pritej të ndodhte dhe këtë unë e konstatova po atë ditë që ajo ndodhi”, është shprehur Janora. “Kam konstatuar çarje të betonit dhe pilotave mbrojtëse të betonit poshtë terrenit që ndërtohej, por nuk arritëm në kohë të shmangnim katastrofën”. Sipas tij, specialistët e firmës së ndërtimit nuk arritën në kohë të evakuonin banorët e pallatit për punë minutash pasi rrëzimi erdhi befasishëm. Pas këtij deklarimi, ka ardhur menjëherë reagimi i palës akuzuese përmes Alfred Saliut, prokuror i çështjes. Sipas Saliut deklaratat e Janorës janë në antitezë të plotë me ato çfarë ka deponuar në prokurori në momentet fillestare të çështjes disa orë pas arrestimit. Megjithatë kjo nuk ka ndikuar në ecurinë e mëtejshme të seancës, pasi ajo është e fundit për t’ia lënë radhën pretencës. Ajo që ra në sy gjatë deklarimeve të ish-punonjësve të Bashkisë së Gjirokastrës, ishte unifikimi i qëndrimeve. Ata janë shprehur se kanë qenë kundër ndërtimit të objektit 7-katesh, i cili dyshohet se solli rrëzimin e pallatit të banimit duke shkaktuar tre viktima dhe gjashtë të plagosur. Për përgjegjësin e Zyrës së Urbanistikës Alfred Mamani, objekti nuk duhet të ndërtohej në vendin ku u vendos dhe për këtë ai ka qenë kundra para dhe pas miratimit të lejes së ndërtimit apo dhe sheshit të ndërtimit. “Janë dokumentet ato që e vërtetojnë plotësisht qëndrimin tim për mosndërtimin e objektit në fjalë se nuk i plotësonte parametrat për një bazament të qëndrueshëm dhe solid”, deklaroi Mamani. p.n
Të pandehur
Sotiraq Janora,president i firmës “Arti ndërtim” shpk
Admir Shehaj,inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit
Afërdita Papamihali,sekretare e KRRT-së së Bashkisë
Alfred Mamani ,përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës
Gjergji Meçi,inxhinier i firmës “Arti Ndërtim” shpk
Petrit Maksuti,punonjës i Policisë Bashkiake
Leonard Mustafaraj,punonjës i Policisë Bashkiake