E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesa sociale edhe për ish-ushtarët e UÇK-së

Komunat shqiptare janë duke përgatitur planin për ndërtimin e banesave sociale. Derisa kjo është rast me shumë komuna maqedonase, ku Qeveria vetëm për këtë vit do të fillojë me ndërtimin e mbi 400 banesa të tilla, edhe te shqiptarët është ngritur alarmi.

Në Tetovë, madje rikujtojmë se janë dhënë 17 banesa sociale për ish ushtarët e UÇK-së nga ana e Ministrisë për Transport dhe Lidhje. Këto beneficione madje vazhdojnë të jenë të shumta, nëse merret parasysh statusi i “branitellave” që nga viti 2001.

Madje, komuna e Tetovës ka plan edhe për ngritjen e banesave tjera për kategoritë sociale. “Komuna e Tetovës deri tani nuk ka ndërtuar banesa sociale, mirëpo ka plane që në të ardhmen të angazhohet për ndërtimin e banesave të cilat do tu ndahen kategorive të ndryshme sociale”, thonë nga Komuna e Tetovës, raporton Zhurnal.

Ndërsa edhe Komuna e Çairit për momentin është duke e përgatitur planin për ndërtimin e banesave sociale, që siç u shpreh kryetari i kësaj Komune, Izet Mexhiti, “në momentin që plani të bëhet gati i njëjti do të shpaloset para opinionit”.

Madje, banesa sociale planifikohet të ndërtohen edhe në qytetin e Gostivari ku është paraparë ndërtimi i 70 banesave sociale në këtë komunë për të cilin ekziston projekti për fillimin e ndërtimeve.

“Kemi projektin për të filluar të ndërtohen 70 banesa sociale. Vlera e projektit për ndërtimin karabina të këtyre banesave është 20 milion denarë. Ky projekt do realizohet në bllokun urban 17 – ‘Lagaj Toskallari’. Unë si kryetar në bashkëpunim me administratën e Komunës së Gostivarit, do të jem në shërbim të qytetarëve dhe të gjithëve institucioneve. Ne do të angazhohemi që për një periudhë shumë të shkurtër, t’i përgatitim dokumentacionet që të mund të filloje ndërtimi i banesave sociale këtu në qytetin e Gostivarit. Besoj se ndërtimi i banesave do të bëhet në gjashtë mujorin e dytë të këtij viti”, ka thënë kryetari Bejta.

Ai ka thënë se me drejtorin Ilir Kamberi kanë biseduar edhe për gjetjen e lokacioneve tjera për ndërtimin e banesave sociale në Gostivar.
“Për në të ardhmen u morëm vesh që te gjejmë edhe lokacion tjetër për të vazhduar për të ndërtuar banesa sociale në qytetin e Gostivarit dhe të përmirësojmë standardin e qytetarëve që nuk i kanë kushtet e mira. Lokacioni tjetër është përballë Konviktit dhe bashkë drejtorin do të punojmë dhe do ta bëjmë projektin. Me drejtorin gjithashtu u morëm veshtë që gjatë mandatit tim të bëhet edhe rikonstruimi i shtëpisë përballë “Postës”, ka thënë më tej Bejta.

Ndërkohë, kryetari i Sarajit, Bekim Murati ka pohuar se konform vendimit të qeverisë planifikohen të ndërtohen banesa sociale për ato kategori të familjeve më të rrezikuara edhe në këtë komunë.

“Komuna e Sarajit që para dy viteve ka ndryshuar planin detal urbanistik me të cilin është planifikuar vendi dhe hapësira ku do të ndërtohen banesat sociale. Gjatë javës së kaluar kemi pasur disa takime me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe politikës sociale me të cilët kemi biseduar për dinamikën respektivisht fillimin e punimeve e këtyre banesave sociale. Komuna e Sarajit ka kryer të gjitha obligimet e saj duke caktuar vendin ku do të ndërtohet, duke ndryshuar planin urbanistik, planin detal dhe tani presim që investitori Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, respektivisht Qeveria e Maqedonisë të ndërmarrin hapa konkret për fillimin e punimeve për ndërtimin e atyre banesave sociale”, ka thënë Murati/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›