E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat për të pastrehët, Olldashi: Shpërndarja të jetë korrekte

KAVAJË- Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka inspektuar sot punimet për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët në qytetin e Kavajës, një projekt i qeverisë shqiptare. Sipas ministrit, deri në fund të këtij mandati do të jenë gati 3900 apartamente për të pastrehët.

“Ky program shtrihet në tre qytete, në Kavajë, Korcë dhe Shkodër. Janë nga 3900 apartamente që kanë përfunduar, ose janë në fazën e fundit”, tha ministri.

Olldashi i ka bërë thirrje këshillave bashkiakë që të gjejnë gjuhën e përbashkët në shpërndarjen korrekte të apartamenteve.

“Detyra jonë është të ndërtojmë apartamente dhe t’ja vëmë në dispozicion pushtetit vendor, më pas është pushteti vendor që në mënyrë shumë objektive, mbi kritere të përcaktuara qartësisht dhe saktë duhet të bëjë shpërndarjen. Fenomeni që është parë në Durrës, nuk duhet të përsëritet, pasi sikurse kemi shembullin e Durrësit kemi nga ana tjetër shembuj shumë të mirë që janë aplikuar qoftë në Korcë, qoftë në Shkodër, qoftë në qytete të tjera të vendit ku ne kemi ndërtuar apartamente me entin e banesave”, komentoi Olldashi.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›