E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat për të pastrehët,caktohet kostoja e ndërtimit

Ndërtimi i një metër katror të një banese do t’i kushtojë Entit Kombëtar të Banesave mesatarisht 33.464 lekë. Qeveria ka miratuar dje koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti për vitin 2008. 

Adi Shkëmbi

 “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “dh”, të nenit 34/1, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave udhëzon kostoja mesatare e ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, për vitin 2008, të jetë 33 464  (tridhjetë e tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë/m2 sipërfaqe shfrytëzimi”, thuhet në udhëzimin e miratuar dje nga qeveria. Ndërkohë ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit si dhe Enti Kombëtar i Banesave për zbatimin e këtij udhëzimi.
Kosto e banesave
Në relacionin që i bashkëngjitet këtij udhëzimi thuhet se, për hartimin e kostos mesatare, rezultatet janë nxjerrë nga studimi i bërë në vitin 2007. “Gjithashtu, është pasur parasysh që në tipin e banesave të merren në konsideratë përveç zgjidhjes arkitekturore edhe tipi i konstruksionit të tyre dhe respektivisht: ndërtimi i banesave me mure masive, banesa me konstruksion betonarme, ndërtimi me soleta monolite, soleta me travesta, soleta me mbushje me tulla dhe bira në mënyrë që të kemi një kosto mesatare sa më afër realitetit”, thuhet në relacionin që i bashkëngjitet vendimit. Në krahasim me një vit më parë rezulton se, kosto mesatare për ndërtimin e banesave nga Enti Kombëtar i Banesave është rritur me 8 për qind deri në 9 për qind, si pasojë e rritjes së çmimit për disa produkte. Sipas relacionit, apartamentet e reja që do të ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave do të jenë ndërtesa jo më me 6 kate, por me tetë kate, ndërkohë që do të jenë të pajisura edhe me ashensorë. “Kosto mesatare e këtij viti në krahasim me vitin paraardhës ka një rritje prej rreth 8 për qind deri në 9 për qind në të cilën ka ndikuar, rritja e çmimeve të disa prej materialeve të ndërtimit, ndryshimi i tipologjisë së banesave nga 6 në tetë kate, ndërtimi i kafazit dhe vendosja e ashensorit si dhe ndryshimi i soletave të ndërkateve, nga soletë me blloqe betoni të cilat nuk prodhohen më, në soleta me travesta me tulla qeramike”, vijon më tej relacioni i vendimit të miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Sipas tabelës që i bashkëngjitet udhëzimit të miratuar dje nga qeveria rezulton se Bajram Curri ka koston më të lartë të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave me 35.872 lekë/m2. Ndërkohë që kosto më e ulët për këtë institucion shtetëror duket se është në qytetin e Elbasanit me 31.532 lekë/m2. Para kalimit të udhëzimit në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave janë marrë edhe mendimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave. “Në përgjigje të shkresës suaj në lidhje me projekt udhëzimin ‘për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i banesave për vitin 2008’, parimisht shprehemi dakord, por sugjerojmë, që në pjesën hyrëse të projekt udhëzimit të saktësohet referimi në atributet e ligjit ‘Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, pasi nr. 9235 i korrespondon ligjit ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar”, thuhet në letrën e ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Ndërsa në letrën e ministrit të Financave, Ridvan Bode thuhet se “në vijim të shkresës suaj në të cilën kërkohet mendim për p/udhëzimin ‘për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2008’, shprehemi dakord dhe pa vërejtje”.

Kosto mesatare e ndërtimit për vitin 2008

            Çmimi për njësi              (mesatare aritmetike)
Qytetet            Sip. Shfrytëzimi        Sip. ndërtimit

Berat                33.187 lekë/m2            27.450 lekë/m2
Dibër                34.842                28.826
Durrës            35.195                29.108
Elbasan            31.532                26.081
Ersekë            33.544                27.742
Fier                33.499                27.710
Gramsh            32.096                26.551
Gjirokastër            33.876                28.024
Korçë            33.427                27.640
Krujë                33.228                27.490
Kavajë            33.526                27.736
Kuçovë            32.982                27.279
Kukës            35.494                29.366
Laç                32.739                27.082
Lezhë            33.745                27.906
Librazhd            31.805                26.307
Lushnje            33.311                27.555
Burrel            35.539                27.744
Përrenjas            31.990                26.459
Peqin                31.945                26.425
Përmet            33.905                28.045
Pogradec            33.368                27.594
Pukë                33.961                28.092
Rrëshen            32.978                27.281
Çorovodë            33.552                27.759
Sarandë            33.387                27.617
Shkodër            33.830                27.981
Tepelenë            33.706                27.891
Bajram Curri            35.872                29.679
Tiranë            33.174                27.439
Vlorë                34.156                28.252

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›