E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ngujimi” shqiptar në Bienalen e Rumanisë

 

“Allegretto Albania”, drama e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar pak kohë më parë nga regjisori Altin Basha, do të ngjitet së shpejti në Bienalen e Festivalit Evropian në Rumani. Festivali i titulluar “Ditët dhe netët evropiane”, që do të nisë më 7 shtator në Braila, do të presë trupa teatrore nga i gjithë kontinenti, ndërkohë që në fokus do jenë vendet e Ballkanit. “Kjo nuk është hera e parë që një projekt i Teatrit Kombëtar merr pjesë në këtë aktivitet”, sipas skenaristit dhe dramaturgut Stefan Çapaliku. Ai shtoi për median se, “edhe në vitin 2006, Shqipëria mori pjesë në këtë festival me dramën “I’m from Albania (Unë jam nga Shqipëria)”. Data 12 shtator do të jetë për shfaqjen shqiptare, e cila në qendër të saj trajton një familje shqiptare të ngujuar për motive të gjakmarrjes. I zoti i shtëpisë rri i mbyllur bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët, sepse njerëzit e viktimës i kanë dërguar fjalë fisit të vrasësit se do e marrin hakun te më i miri. I zoti i shtëpisë i ka bërë apel vetes, se kush mund të ishte më i miri dhe pas shumë dyshimesh i ka rezultuar vetja. E gjitha kjo ndodh kur jashtë shtëpisë, në qytet, ka nisur stina koncertore “Allegretto Albania”... dhe që jepet në komedinë me të njëjtin titull (Allegretto Albania). Në këtë vepër interpretojnë Mirush Kabashi, Olta Daku, Vasjan Lami, Gazmend Paja, Xheni Faja, Klea Londo etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›