E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali në krizë, vetëm 1 orë ujë

 

KUKES – Prej një muaji në spitalin e Kukësit ka ujë vetëm një orë në ditë. Kriza e furnizimit me ujë të pijshëm që ka përfshirë këtë qytet dhe rrethinat në këta muaj të nxehtë të verës, nuk ka kursyer as spitalin rajonal të tij. Burime pranë këtij spitali bëjnë të ditur se, edhe pse uji “viziton” vetëm për një orë në ditë spitalin, ai mbetet vetëm në katin e parë dhe në bodrume, ku janë kuzhina dhe lavanderitë, pasi presioni i ulët nuk e lejon të ngjitet në katet e larta. Gjendjen aktuale e cilësojnë si alarmante jo vetëm të sëmurët dhe të afërmit e tyre, por dhe personeli i spitalit. Nëndrejtori i spitalit, mjeku Nikolin Martini pohoi për “Panorama”-n, se ky është një shqetësim i hershëm dhe është bërë prezent në Drejtorinë e Ujësjellësit, por ende situata nuk ka ndryshuar. “Mungesa e ujit në spital shton dhe mundësinë e infeksioneve, pasi ky rrezik në spital është shumë më i madh se në ambientet e tjera. Këtë rrezik e kanë dhe pacientët e shtruar në spital, sidomos në këto ditë kur temperaturat janë të larta”, pohoi ai. Ndërkohë që bëhet e ditur se mungesa e vazhdueshme e ujit vë në vështirësi dhe impiantin e prodhimit të serumeve. Mësohet se problemi i mungesës së ujit njihet mirë nga ana e ujësjellësit të qytetit, i cili ende nuk ka mundur ta zgjidhë. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›