Fatos Arapi me poezinë në Strugë
“Poetët ballkanikë me poezitë e tyre ndërtojnë mozaikë të llojit të vet, të cilin askush nuk mund ta shkatërrojë, sepse ashtu poezia bëhet më e fuqishme. Sa më shumë mësojmë njëri për tjetrin, aq më shumë çmohemi, njoftohemi dhe duhemi”, deklaroi poeti shqiptar Fatos Arapi, laureati i vitit i “Mbrëmjeve strugane të poezisë”, i cili mbërriti dje në Strugë. “Unë në Strugë jam si poet, e jo si shqiptar, sepse poezia nuk bën dallime. Gjuha dhe kultura, po ashtu”, tha Arapi, të cilit “Kurora e artë” e edicionit të 47-të të festivalit do t’i dorëzohet të dielën, në manifestimin “Urat”, me të cilën tradicionalisht mbyllet festivali më i madh i poezisë në vend. Pesëdhjetë poetë vendas dhe 70 të huaj nga 45 vende të botës, prej nesër deri më 24 gusht do të marrin pjesë në mbrëmjet strugane të poezisë. Festivali solemnisht do të hapet nesër në mbrëmje në shtëpinë e poezisë në Strugë, me leximin poetik ndërkombëtar “Meridianet poetike”. Portreti letrar i laureatit Fatos Arapi do të mbahet në kishën “Shën Sofia” në Ohër, me fjalim të akademikut Gane Todorovski. Mbrëmja tradicionale e poezisë kombëtare këtë vit do t’i kushtohet Ukrainës dhe do të promovohet zgjedhja e poezisë bashkëkohore ukrainase. Do të promovohen edhe edicionet e festivaleve tradicionale - libri me poezi i mbajtësit të kurorës Arapi, libra poetikë nga edicioni “Plejada”, zgjedhja e poezisë maqedonase “Poezi midis dy fluturimeve”.