E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale, Bashkia e Tiranës përcakton zonat për apartamentet e 1300 familjeve



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka përcaktuar zonat për ngritjen e rreth 700 apartamenteve për strehimin e familjeve në nevojë. Nga projektet e Bashkisë do të përfitojnë rreth 1300 familje të pastreha. Aktualisht, specialistët kanë përcaktuar zonat dhe kanë përfunduar projektet e ndërtimit të apartamenteve. Tashmë kanë përfunduar detajimet për hapësirën dhe kushtet që do të ofrojnë banesat për të gjithë familjarët që do të strehohen në to. Përveç banesave sociale pranë ish- Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, është shtuar edhe projekti tjetër për një bllok banimi në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, si dhe blloku i banimit pranë rrugës “Mine Peza”. Bashkia ka përcaktuar se mënyra e aplikimit të familjeve që do të kërkojnë strehim për këto banesa është i njëjtë. Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të domosdoshmërisë që kanë dhe plotësimit të kritereve për strehim. Mendohet se kategoritë më emergjente do të strehohen në blloqet e banimit që do të përfundojnë të parat. Në këtë mënyrë do të shmangen pakënaqësitë që mund të kenë familjarët për marrjen banesave në periferi të Tiranës, siç është blloku i banimit në Shkozë apo më afër qendrës si blloku i banimit të rrugën “Vëllezërit Manastirliu”.
Banesat
Specialistët e Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU), bëjnë të ditur se katet e para të ndërtesave do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Të gjithë familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar kredinë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas.
Projektet
Bashkia e Tiranës në kuadër të programit “Për Integrimin e të Pastrehëve”, ka caktuar disa lokalizime në qytet, të cilat janë asete të saj, ku do të ndërtohen banesa sociale. Qëllimi i ndërtimit të banesave sociale është strehimi i personave dhe familjeve të pastreha, si dhe integrimi i tyre në shoqëri. Për këtë arsye, objekte të këtij programi janë disa hapësira të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit e sidomos brenda Unazës ekzistuese, të pleksura në zona banimi të një cilësie mbi mesataren. Përveç kërkesave për strehim, këto hapësira do të përmbushin pjesërisht edhe kërkesat për parkim, pasi sipërfaqja e nëntokës së tyre do të përdoret si parkim publik .

Detajet, për ndërtesat pranë rrugës “Mine Peza”

Specialistët kanë përcaktuar të gjitha detajet lidhur me përbërjen e banesave dhe mundësitë e strehimit të familjarëve. Në këtë zonë, janë planifikuar të ndërtohen rreth 51 apartamente, të cilat do të jetë të ndara sipas mundësive që do të kenë qytetarët për të paguar qiranë. Kështu, përbërja e dhomave do të jenë të tipit garsoniere me hapësirë 20 metra katrorë, apo dhe dhoma të tjera me hapësirë 1 + 1. Ndërkohë që familjet e mëdha do të kenë dhoma më të përshtatshme, të cilat do të jenë 2 + 1. Rreth 12 njësi do të jenë të tipit 3 + 1 që do të kenë një hapësirë me 54.00 metra katror. Të gjitha banesat janë projektuar për familje të vogla ose çiftet e reja, si dhe për familje me më shumë anëtarë. Ndërkohë që, katet e para janë planifikuar të jenë në shërbimin e të gjithë banorëve dhe do të përdoren për biznese, kopshte, çerdhe. Për më tepër, të gjithë ata që do të strehohen në këto apartamente do të kenë mundësi punësimi në shërbimet e ofruara në katet e para të ndërtesave.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›