Një Andreoti në krye të PS-së
Skënder Minxhozi
“Socialistëve u mungoi një Andreoti në krye të partisë; në vend të tij nxorën në krye një tribun, por dihet se këtë rol e ka marrë Berisha prej vitesh dhe e interpreton më mirë së kushdo tjetër. Rama ishte i destinuar të dështonte”. Kështu shprehej pak ditë më parë një politikan i njohur i së djathtës, i cili, në zgjedhjet e fundit garoi kundër dy partive të mëdha. Dhe duket se kishte të drejtë. Javët e fundit është thënë deri në mërzi se në këto zgjedhje dështoi modeli i imponimit dhe i vrapit vetmitar, i arrogancës dhe i shpërfilljes së gjithkujt dhe gjithçkaje. Është koha për të ndryshuar thellësisht strategji dhe sjellje dhe këtu loja hapet edhe për personazhe të tjerë veç Edi Ramës, i cili vazhdon të heshtë dhe të fshihet.
Rruga e PS-së drejt pushtetit, kur kjo ditë të vijë vërtet, duhet përgatitur qysh tani, kur gjithçka duket pa vlerë dhe e largët. Efekti dehës dhe demoralizues i rezultatit të 28 qershorit s’mund ta topisë deri në atë pikë gjykimin sa të mos shihet dhe kuptohet se në themel të humbjes qëndron një gabim i madh taktike politike dhe elektorale, prej nga duhet të dalë edhe zgjidhja. Në dy zgjedhjet e fundit, në ato të vitit 2005 dhe të qershorit 2009, Fatos Nano dhe Edi Rama bënë shumë gabime të vogla, të ndryshme mes tyre, por edhe një gabim të madh, që i bashkon në mënyrë të habitshme: Ata shpërfillën aleatët dhe i shkuan deri në fund rrugës së nisur me një lloj fataliteti foshnjor dhe vetëbindjeje në fuqitë e tyre personale, e cila prek kufijtë e naivitetit politik e njerëzor. Të dy besuan se mund të fitojnë gjithçka, menjëherë dhe vetëm. Që të dy nuk bënë gjë tjetër veçse i dhanë pushtetin së djathtës, kur shifrat në të dyja rastet na thonë se duhet të kishte ndodhur e kundërta.
Kongresi i 29 gushtit është një rast i madh për të ndërruar totalisht faqe në PS. Ndaj aleatëve dhe ndaj mënyrës së të bërit opozitë, ndaj emrave të përveçëm brenda dhe rreth partisë dhe ndaj temave të mëdha si ekonomia, kriza financiare e integrimi europian. Një projekt shpërfillës u provua se është një projekt humbës. Prandaj edhe duhet ndryshuar.
Edi Rama nuk po jep asnjë shenjë se ka ndër mend t’i hyjë kësaj rruge. Por kjo s’do të thotë që ai duhet paragjykuar ende pa folur. Sepse Rama s’e ka harxhuar fishekun e fundit, pra fjalën e tij para kongresit, me gjithë skepticizmin e kuptueshëm që ekziston rreth dëshirës dhe fuqisë së tij për të ndryshuar. Me gjithë rrëzimin e zhurmshëm më 28 qershor, atij i duhet dhënë të paktën shansi që të provojë se ka kuptuar se ka humbur kryesisht për fajin e tij dhe se e ka seriozisht kur kërkon një shans tjetër në krye të PS-së.
Por, ka një “por” të madhe! Edi Rama s’mund ta marrë mandatin e dytë pa folur, duke u fshehur dhe, aq më keq, duke mos reflektuar asnjë grimë ndaj asaj që ndodhi. Ai s’mund ta shesë edhe një herë si fitues projektin që doli i humbur. Rama nuk mund të qeverisë edhe një herë në PS pa një minimum garancish dhe mekanizmash kontrolli të forumeve të partisë mbi të. Zgjedhjet lokale janë vërtet prova e së vërtetës për kreun e ardhshëm të partisë, cilido qoftë ai, por PS-ja, pra institucionet e saj, s’mund t’i bëjnë gjithmonë llogaritë me rezultatin e zbardhur në letër, duke mos u pozicionuar dhe duke u hequr mënjanë deri ditën e zgjedhjeve. Ky do të ishte një risk fatal për socialistët, pas humbjes së 28 qershorit. Kundërshtarët e Ramës po punojnë këto ditë mbi një listë ndryshimesh në Statutin e partisë. Çdo klauzolë kushtëzuese për kryetarin e partisë do të ishte një masë e duhur dhe pozitive në drejtim të shmangies së super-liderit të paprekshëm. Si ai që pamë në fushatën e fundit të PS-së.
Nga ana tjetër, Ben Blushi dhe Arben Malaj janë sot mishëruesit e idesë gjithnjë e më dominuese se kapitulli i Edi Ramës duhet mbyllur, me qëllim që të mbyllen edhe kostot politike të PS-së. Një qëndrim normal dhe i kuptueshëm nëse shihen përmasat dhe pasojat e humbjes politike të 28 qershorit si dhe shkalla e përgjegjësisë thuajse ekskluzive që kreu i PS-së ka në raport me këtë humbje. Blushi dhe Malaj janë sot zëdhënësit zyrtarë të pakënaqësisë endemike ndaj Ramës dhe stilit të tij arrogant të drejtimit të partisë, e gjitha kjo e shtyrë dhe e motivuar nga shifrat negative të zgjedhjeve. Ata janë gjithashtu objektivisht më pranë kthesës së mundshme që PS-ja duhet të marrë në kushtet e reja politike, pasi nuk përfaqësojnë trashëgiminë e rëndë të Edi Ramës me filozofinë e tij të ndarjes dhe të përjashtimit. Në këtë aspekt, ata janë, të paktën në letër, shumë më pranë rolit dhe imazhit të një Andreoti, sesa atij të një kalorësi vetmitar. Në kushtet kur PS-së i duhet të “qepë” shumë të çara të skemën e saj politike, kur i duhet të rishohë me kujdes të gjitha aleancat politike, me përjashtim të LSI-së, këto dy figura alternative apo dhe të tjera që eventualisht mund të dalin, do të ishin një zgjidhje më realiste. Porse PS-ja e sotme, të paktën ajo që perceptohet nga humoret, reagimet e njerëzve dhe vox-pop-et nëpër rrugë, ndodhet e mbyllur në vetvete dhe e dominuar nga instinkti i vetëmbrojtjes. Çka çon ujë indirekt tek Rama dhe ideja e qëndresës dhe vazhdimësisë, më shumë sesa te kthesat e forta dhe thyerjet e mëdha.
Por, përtej emrave konkretë, përtej fateve personale, vetë PS-ja ka nevojë për një kthesë të madhe. Për t’iu rikthyer sërish atij përcaktimit të politikanit të djathtë për Andreotin dhe tribunët, duket qartë në dritën e diellit se arroganca e para 28 qershorit duhet zëvendësuar urgjentisht me një linjë politike që të mos abuzojë dhe lërë pas dore asnjë aset politik, person konkret apo propozim e ide politike që mund t’i shërbejë opozitës në të përpjetën e vështirë që përgatitet të ngjisë. Andreoti, ajo që ai përfaqëson, duket sot një filozofi dukshëm më e pranueshme për PS-në, e cila për të dytën herë u rrëzua për shkak se nuk diti të unifikojë forcat dhe asetet e saj, sesa alternativa e heroit vetmitar, e tribunit që kërkon ta shembë i vetëm me gjoks malin që ka përpara.
A është në gjendje Rama ta bëjë të vetën dhe ta zbatojë këtë strategji të re, pasi ka propozuar ekzaktësisht të kundërtën deri pak javë më parë?! Kjo nuk dihet, madje mund të thuhet se sot, duke parë pasivitetin thuajse total ku ai vazhdon ta mbajë veten, kjo është diçka në kufijtë e utopisë. E megjithatë, një shans i dytë është e vështirë t’i mohohet një lideri politik që vërtet dështoi në zgjedhje, por që kurrsesi s’mund të krahasohet, siç po ndodh rëndom këto ditë, me konsumin e llahtarshëm të etërve të plakur të politikës, Nano e Berisha. Ajo që Rama ka lënë pas në Tiranë dhe fakti që askush nuk është larguar deri sot në politikën shqiptare, pasi ka humbur të parat zgjedhjet ku është paraqitur, i japin atij një alibi për të vazhduar më tej. Nëse kësaj i shtojmë rrethanën jo të parëndësishme të një mbështetjeje në dukje jo të vogël brenda partisë që Rama vazhdon të ketë, falë edhe ndjenjës së frustrimit dhe instinktit të vetëmbrojtjes ku ndodhet kjo parti, pozita e tij nuk duket edhe aq e kompromentuar. Natyrisht, në planin numerik, pasi në aspektin politik Edi Rama është, të paktën momentalisht, krejtësisht i zbuluar.
8 Gusht 2009