E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, sa i’u rritet pensioni në varësi të viteve të shërbimit

Specialistët e ISSH-së përllogarisin masën e përqindjes sipas viteve të shërbimit

Laureta Rryçi

Pas vendimit të qeverisë, specialistët e ISSH-së kanë bërë kalkulimet e duhura për të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan se vetëm pak kohë më parë qeveria vendosi rritje pensioni për të gjitha kategoritë e ish-ushtarakëve pavarësisht pozicionit apo gradës që kanë pasur në Forcat e Armatosura. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm, kategoritë përfituese që u përfshinë për miratim në mbledhjen e fundit të qeverisë. Në të njëjtën kohë po botohen edhe masa e rritjes që ka përcaktuar qeveria për ish-ushtarakët. Sipas vendimit rritje pensionesh do të kenë ata ish-ushtarakë që kanë punuar në industri ushtarake, familjet e pilotëve që u kanë humbur jetën të afërmit si dhe disa kategori të tjera. Ky vendim tashmë i ka kaluar procedurat e zakonshme për të hyrë në fuqi dhe pritet që gjatë muajit gusht këta ushtarakë të marrin edhe pensionin bashkë me rritjen. Në gjuhë përqindjesh, kryesisht masa financiare që është miratuar për rritje pensioni ndaj kësaj kategorie është në masën 4 për qind.
Vendimi
Në vendimin e fundit të qeverisë janë përfshirë pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, janë bërë plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare, pensioneve suplementare familjare të ushtarakëve, që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar, dhe pensioneve familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë në mbështetje të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë.
Kategoritë
Rritje me 4 për qind do të pësojnë edhe pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensioneve suplementare të invaliditetit, pensioneve suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që për shkak të detyrës, janë bërë plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare dhe pensioneve suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, humbasin jetën, për shkak të detyrës, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë. Trajtimet e veçanta financiare të pilotëve fluturues që janë në pension rriten po kështu me 4 për qind. Qeveria ka menduar edhe për rritjen e masës financiare për trajtimeve të veçanta financiare të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension. trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi janë përllogaritur si kosto financiare në shumën 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i kontigjencës, në buxhetin e vitit 2009, caktuar për rritjen e pensioneve.

Masa e përfitimit të pensionit suplementar për ish-ushtarakët

Masa e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë për të gjithë ish-ushtarakët që kanë dalë në pension para vitit 1991 do të jetë sa gjysma e pensionit mujor të pleqërisë që ata marrin. Sipas ligjit të ri, pensioni suplementar i pleqërisë do të llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë që përfituesi gëzon në çastin e lindjes të së drejtës për pension suplementar. Nga ky ndryshim nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë, me burgim, për krime të kryera me dashje. Të gjitha përfitimet përfshirë edhe pensionin suplementar të pleqërisë, llogariten në bazë të pagës referuese. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë a funksion në datën e lindjes të së drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për studentët e shkollave të larta që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës a funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës a funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it, të nivelit përkatës. Kur funksioni ose grada që kishte përfituesi, nuk ekziston më: ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm (drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, komandanti i Gardës), ministri i Drejtësisë dhe drejtori i SHISH-it, me urdhër bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.

Vendimi i plotë i qeverisë

Rritjen e pensioneve suplementare të ushtarakëve e të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të trajtimeve të veçanta financiare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar, të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension”, të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Rritjen në masën 4 për qind të:
a) pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensioneve suplementare të pleqërisë, pensioneve suplementare të invaliditetit, pensioneve suplementare të invaliditetit të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, janë bërë plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare, pensioneve suplementare familjare të ushtarakëve, që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar, dhe pensioneve familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë në mbështetje të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë.
b)pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensioneve suplementare të pleqërisë, pensioneve suplementare të invaliditetit, pensioneve suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që për shkak të detyrës, janë bërë plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare dhe pensioneve suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, humbasin jetën, për shkak të detyrës, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë.
c)trajtimeve të veçanta financiare të pilotëve fluturues, në pension.
ç) trajtimeve të veçanta financiare të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension.
d) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake.
2. Rritjen në masën 10 për qind të trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë.
3. Rritjen në masën 4 për qind do ta marrin edhe të gjitha përfitimet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, kur caktohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por me datë fillimi deri në 30.4.2009, përfshirë edhe këtë datë.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi e që llogariten në shumën 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekë, të përballohen nga fondi i kontigjencës, në buxhetin e vitit 2009, caktuar për rritjen e pensioneve.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›