E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Arsimit, masa penalizuese ndaj 200 nxënësve dhe 15 mësuesve që mundësuan kopjimin



Emanuela Sako

Matura shtetërore nuk ka kaluar pa probleme edhe këtë vit. 200 maturantë dyshohet se kanë kopjuar gjatë të dhënies së provimit. Faktet janë bërë publike nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për shkeljen e rregullores së përcaktuar nga specialistët.
Autoritet e Ministrisë së Arsimit kanë pranuar dhe kanë dhënë fakte rreth abuzimeve që janë bërë me shkeljen e rregullores së maturës shtetërore nga nxënësit, por edhe nga mësuesit, që i kanë mbikëqyrur gjatë provimeve të maturës. Dyshohet për rreth 200 teste, ndërkohë që maturantët kanë përdorur mjete të sofistikuara për të kopjuar. Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, shprehet se dyshimet janë për në disa shkolla të qyteteve të ndryshme
Rastet
Specialisti i MASH-it theksoi se e njëjta situatë është përdorur në disa shkolla të vendit. Të tilla raste janë evidentuar në shkollat e qytetit të Fierit, Lushnjës, Përmetit, Bulqizës etj. MASH, po merret me zbardhjen e ngjarjes dhe me marrjen e masave për të gjithë mësuesit që kanë qenë prezent gjatë dhënies së provimit dhe kanë lejuar ose kanë neglizhuar rastet e kopjimit.
“Janë rreth 200 nxënës që dyshohen për thyerje të maturës shtetërore. Evidentuam dy bar kode me diferenca të mëdha, dyshuam se ishin në mjedise të ndryshme. Këto me vërtetë ishin në mjedise të ndryshme, një çift në Lushnjë dhe një çift në Fier, në shkolla të ndryshme. Pra, kopja është bërë me mjete të sofistikuara, nuk është thjesht na fletën, merr fletën”,- theksoi Fatmir Vejsiu.
Masat
Autoritetet e arsimit kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj këtyre administratorëve të provimeve të maturës dhe si dhe nxënësve që dyshohet se kanë plotësuar testet me anë të kopjes. Ndëshkimi ka rënë mbi 15 mësues të arsimit të mesëm, të cilët janë verifikuar tashmë për shkeljet e kryera. Ndaj drejtorëve të shkollave dhe mësuesve, drejtoritë arsimore në rrethe kanë marrë masa për pezullim të menjëhershëm nga detyra dhe vërejtje për një pjesë tjetër. Për nxënësit janë marrë masat penalizuese për humbjen e vitit akademik. Ata janë shpallur mbetës të provimeve të maturës për vitin 2009-2010. “Kemi marrë masa, deri në shkarkimin nga detyra për drejtuesit e shkollës, apo vërejtje. Kemi pasur raste në Përmet, në Bulqizë më shumë dhe kanë ardhur informacionet nga zyrat përkatëse arsimore, për masat që kanë marrë, janë rreth 15 veta”,- sqaroi Vejsiu. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, po merret me rivlerësimin e testeve të kërkuara prej maturantëve. Fatmir Vejsiu shprehet se nuk ka pasur shumë kërkesa, por janë 15 teste që kërkojnë rivlerësim.

Rregullat që duhet të ndiqeshin gjatë dhënies së provimeve

Specialistët e arsimit dorëzuan pranë drejtorive të shkollave në rrethe një paketë rregullash që duhet të ndiqeshin gjatë dhënies së provimeve përfundimtare. Maturantët duhet të qëndronin mbi 120 cm larg njëri-tjetrit në provimet e maturës. Kjo është largësia e vendosur nga specialistët e Arsimit, sipas të cilëve, distanca ndërmjet çdo nxënësi, duhet të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri tek tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa. Kështu, ndryshe nga orët e përditshme të mësimit, apo provimet e bëra gjatë vitit shkollor, maturantët do të qëndrojnë larg shokëve të ngushtë të klasës, me të cilët kanë shkëmbyer të dhëna gjatë testimeve të kaluara. Ashtu, si edhe vitin e kaluar, specialistët e arsimit, që janë marrë me përcaktimin e mjediseve për provimet e Maturës janë treguar tepër të ashpër në përzgjedhjen e tyre. Përveç largësisë prej me shumë se 1 metër nga shokët e klasës, nxënësit do të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim në provime. Ndërsa sipërfaqja që maturantët do të kenë në dispozicion për të shkruar është të paktën (40 x 60) cm.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›