E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet e tjera që shkaktohen nga mosfunksionimi i mirë i veshkës



Sëmundja e veshkave është më e përhapura në vendin tonë dhe në të gjithë botën. Sipas specialistëve kjo sëmundje shkakton komplikacione të shumta në organizëm. Specialistët e Nefrologjisë kanë raportuar për një shtim të personave të prekur nga sëmundja e veshkave, ku regjistrohen rreth 450 raste të reja në vit. Rezultatet janë bërë të njohura gjatë Konferencës Ndërkombëtare Mesdhetare të Nefrologjisë, e cila u mbajt pak kohë më parë në vendin tonë. Specialistët u shprehën se sëmundja kronike e veshkave karakterizohet nga humbja graduale e funksionit të veshkave që vjen duke u përkeqësuar nga grada e parë deri në të pestën, që është dhe shkalla më e rrezikshme. Në stadin e pestë pacientët kanë nevojë për procedurat e dializës ku funksionin e veshkave e zëvendësojnë aparaturat përkatëse, ose për transplantim të veshkave. Një nga komplikacionet më të shpeshta të sëmundjes kronike të veshkave është anemia. Specialistët sqaruan se ekziston një lidhje e ngushtë midis prevalencës së anemisë dhe agresivitetit të sëmundjes. Studime të ndryshme paraqesin faktin që anemia është e pranishme në pjesën dërrmuese të pacientëve në stadin e pestë. Prezenca e vazhdueshme e anemisë te këta pacientë shkakton lodhje dhe këputje.
Sëmundjet
Anemia kontribuon në zhvillimin e sëmundjeve progresive kardiovaskulare, që sjell një rritje të shtrimeve për pacientët me sëmundje kronike të veshkave, e cila reflektohet në shtimin e kostove të trajtimit, si dhe rritje të vdekshmërisë. Në vendin tonë me një popullsi prej më shumë se 3 milionë banorësh, incidenca e pacientëve që kërkojnë këtë trajtim, është mesatarisht 50 raste në vit. Qendrat e dializës janë të vendosura në katër qytete Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër. Sëmundjet kronike të veshkave dhe rreziku i vdekshmërisë janë të lartë edhe në vendin tonë. Më shumë se 500 milionë njerëz në të gjithë botën, ose 10% e popullatës së rritur, vuajnë nga ndonjë formë dëmtimi e veshkave. Ndërsa, 90% e atyre që vuajnë nga sëmundja kronike e veshkave mbeten të paidentifikuar.
Kostoja
Kostoja globale për dializën dhe transplantim parashikohet të tejkalojë 1 milion dollarë brenda dekadës së ardhshme. Në të gjithë botën numërohen mbi 1,5 milionë njerëz, të cilët mbahen në jetë me anë të dializës apo transplantimit. Kjo shifër parashikohet të dyfishohet brenda dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Specialistët theksuan se kjo barrë ekonomike do të vërë në vështirësi buxhetet e shëndetësisë në vendet e zhvilluara. Ndërsa vendet me të ardhura të ulëta është e pamundur të përballojnë kosto të tilla. Nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë problemet që lindin janë të një përmase tepër të rëndë. Mjafton të thuhet që në vitin 2015, rreth 36 milionë persona do të vdesin nga veshkat në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë synon të ulë vdekjet në sëmundjet kronike në 2 për qind në vit për dhjetë vitet e ardhshme. Qëllimi kryesor është sensibilizimi i njerëzve, në mënyrë që ata të bëhen të vetëdijshëm për këtë rrezik. Në këtë kontekst, ai u shërben jo vetëm pacientëve dhe njerëzve në përgjithësi, por edhe personelit mjekësor, për t’u bërë të vetëdijshëm për rolin e veshkave dhe të sëmundjeve që shoqërohen më shumë me dëmtimin e tyre, si diabeti dhe hipertensioni arterial.

Gurët në veshka, stina e verës rrit përmasat e tyre

Mjekët nefrologë japin këshillat se si mund të kalojmë një verë pa probleme. Stina e verës konsiderohet si mjaft problematike për të sëmurët me veshka. Temperaturat e larta që karakterizojnë sitën e verës, paralajmërojnë probleme me gurët në veshka. Humbja e lëngjeve, nëpërmjet djersës, ndikon në rritjen e koncentrimit të urinës. Sipas mjekëve, kjo favorizon shfaqjen e kristaleve, që përveçse ndikojnë në krijimin e gurëve, mund të çojnë dhe në rritje të përmasave të gurëve që mund të jenë ekzistues. Për të evituar këto probleme, mjekët nefrologë, japin disa këshilla se si pacientët me gurë në veshka mund të kalojnë një verë pa probleme. Sipas tyre, gjatë stinës së verës të sëmurët me veshka mund të ndiejnë rëndim të gjendjes së tyre klinike. Në përgjithësi janë pacientë që kanë probleme me H.T.A, infeksionet urinare apo dhe kalkulozat renale. Kjo lidhet me faktin që temperaturat e larta bëjnë që organizmi të humbë shumë lëngje nëpërmjet djersës, gjë që ndikon në rritjen e koncentrimit të kripërave në urinë. Kjo favorizon shfaqjen e kristaleve, që përveçse ndikojnë në krijimin e gurëve, mund të çojnë dhe në rritje të përmasave të gurëve që mund të jenë ekzistues. Gurët në veshka nëse nuk trajtohen me seriozitet mund të japin komplikacione të rënda. Sipas mjekëve, gurët në aparatin urinar mund të japin disa komplikacione, shpesh serioze për jetën e pacientit. Kështu, mund të japin dëmtim të veshkës nga infeksione të përsëritura, bllokim të ureterit, apo dhe anuri (bllokim total i urinës) nga bllokimi i ureteve të dy veshkave ose i veshkës së vetme.

Infeksionet urinare që shkaktohen nga sëmundja

Infeksionet urinare gjatë stinës së verës janë më të shpeshta, si ato të fshikëzës së urinës, pa përjashtuar ato të rrugëve të sipërme, pasi një pjesë e mirë e lëngjeve që pimë nuk eliminohet me rrugë urinare, por nëpërmjet djersitjes. Për të parandaluar dehidrimin në këtë stinë mjekët rekomandojnë përdorimin e ujit natyral. Sipas tyre, ky ujë është hidruesi më i përshtatshëm, më i mirë e më i lirë. Sasia e ujit duhet të jetë e bollshme, që të plotësojë humbjet që bëhen me djersën. Rekomandohet pirja e të paktën 2-3 deri në 4 litra ujë në ditë (kjo në vartësi të djersitjes). Përveç ujit, duhet të shtohet dhe një sasi e moderuar kripe për të kompensuar humbjet e saj nga djersitja, si dhe frutat e ndryshme që zëvendësojnë humbjet e elektroliteve të tjerë dhe mikroelementeve të rëndësishëm për organizimin. Tek të sëmurët me gurë në veshka rekomandohet një dietë e përshtatshme, e cila duhet të jetë e ekuilibruar dhe sipas llojit të gurit për shembull, rekomandohet reduktimi i mishit te pacientët që krijojnë gurë me bazë uratet, ushqimeve me yndyra shtazore, proteina dhe shtimi i ushqimeve të freskëta, që përmbajnë shumë lëngje. Përveç këtyre, me shfaqjen e shenjave të para (dhimbje mesi, urinim të shpeshtë e sidomos me ngjyrë të errët, temperaturë, djegien gjatë urinimit) duhet t’i drejtoheni menjëherë mjekut specialist për të marrë trajtim të specializuar, që dhimbja të bëhet më e lehtë dhe gurët e vegjël të kalojnë pa shumë shqetësime e të parandalohen infeksionet që krijojnë këta gurë.

Banjat e diellit, ndikimi që kanë në organizëm
Banjat e diellit veprojnë mirë në punën e veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave. Banjat e ajrit bëhen 1-2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës. Kur veshkat janë të shëndosha, ato mund t’i përshtaten mënyrës sonë të jetesës, përkatësisht shtimit të sasisë të ushqimit (nëse nuk tejkalohet jashtë mase), nuk ndikon negativisht në punën e tyre. Problemet paraqiten vetëm atëherë kur veshkat sëmuren. Kur nuk kryejnë më funksionin e tyre të filtrimit dhe të djegies të substancave të dëmshme, thuhet se fjala është për insuficiencën (pamjaftueshmërinë). Simptomat janë: lodhje, tretje e vështirësuar, anemia paraqitet më vonë, kur sëmundja të jetë në fazën më intensive.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›