Libri i Transparencës, rivlerësimi për konstatimin e pasaktësive
Nëse nxënësit konstatojnë pasaktësi në të dhënat e tyre, maturantët duhet të plotësojnë formularin e korrigjimeve. Ndërkohë që, para nxjerrjes së këtij formulari, Ministria e Arsimit ka shpërndarë nëpër shkolla Librin e Transparencës, ku ky libër është bërë element përbërës i Maturës Shtetërore. Sikurse vitin e kaluar mësimor, edhe këtë vit, Libri i Transparencës do t’u vijë në ndihmë maturantëve për informimin e tyre, pasi përshkruhet i gjithë procesi i Maturës Shtetërore dhe pranimeve në universitete. Në Librin e Transparencës, çdo kandidat maturant ka të gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, të provimeve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij për programet e studimit (degët), që ofrojnë universitetet për vitin akademik 2009-2010. Mbi bazën e elementeve të lartpërmendur, në libër pasqyrohen dhe pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficienteve të përcaktuar nga universitetet. Libri i Transparencës, këtë vit u botua për secilin qark me të dhënat e kandidatëve maturantë të shkollave të çdo rrethi. Për secilin rreth renditen shkollat e mesme të tij dhe maturantët e çdo shkolle. Nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që rezultojnë mbetës në një nga katër provimet e Maturës. Në Librin e Transparencës secili maturant ka kutinë e tij, ku në rreshtin e parë jepen: Numri rendor; Numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore; Emri, atësia, mbiemri, datëlindja; djathtas janë vendosur emërtimi i profilit të shkollës së mesme që ka mbaruar (është një nga 48 profilet e plotësuar në Formularin A1) dhe së fundi numri i këtij profili. Në pjesën majtas janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të pesë elementeve të Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave llogariten pikët. Këto elemente janë dhënë jo vetëm me numrin e programit të studimit, por dhe me emërtesën përkatëse.
Pranimet, numri i studentëve që do fillojnë universitetin
Miratohen kuotat dhe tarifat e studimit që do të paguajnë studentët e rinj, gjatë vitit akademik 2009-2010. Në total, gjatë vitit të ardhshëm akademik në 11 universitetet shtetërore të vendit do të pranohen rreth 21 mijë studentë të rinj. Miratimi i kuotave dhe tarifave të studimit për vitin e ri akademik është gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit të Ministrave, që u mbajt të mërkurën e javës që lamë pas. Në këtë mbledhje kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar zyrtarisht se tarifat e studimit për vitin e ri akademik do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Ky është një lajm i mirë për mijëra studentë që do të ulen këtë vit për herë të parë në auditorët e universitete publike të vendit, sidomos në ato të Universitetit të Tiranës, pasi tarifat e propozuara nga drejtuesit e këtij të fundit ishin disa herë më të larta se ato të vjetshmet. Pothuajse të njëjtin fat me tarifat e studimit kanë pasur edhe kuotat e pranimit për vitin akademik 2009-2010, të cilat, për pjesën më të madhe të universiteteve publike do të jenë të njëjta me ato të vitit të shkuar akademik.
8 Gusht 2009