E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale, projektet për strehimin në gjithë vendin

26/09/2011  Projekti është mbyllur në Berat, ku janë strehuar 48 familje. Bashkitë e tjera me probleme

Në 7 bashki të vendit pritet të mbyllen dhjetëra banesa sociale, pjesë e projekteve për strehimin e qytetarëve aplikues. Sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Punëve Publike, vetëm në një qytet është lejuar hyrja e të pastrehëve përfitues. “Projekti konsiderohet i mbyllur në Bashkinë e Beratit, ku tashmë janë strehuar 48 familje. Tirana ka 385 apartamente, Durrësi ka 340, pastaj janë Elbasani e Fieri që kanë nga 96, Korça ka 99, Berati dhe Kavaja me 48 apartamente dhe Peshkopia me 24”, shprehet drejtoresha e Politikave të Strehimit, Doris Andoni.

Projektet

Ndërtimet në pjesën më të shumtë kanë përfundua; për arsye të ndryshme nuk është mundësuar hapja e apartamenteve. Problemet qëndrojnë te bashkitë përkatëse dhe brenda këtij viti situata nuk do të ndryshojë. “Duket se do të jetë e vështirë futja e familjeve brenda këtij viti, qoftë për faktin se punimet konsiderohen të mbyllura kur edhe punimet e infrastrukturës do të jenë përfunduar, por njëkohësisht lidhet edhe me procedurat e përzgjedhjes së familjeve. Lidhet njëkohësisht me shumë faktorë; njëri nga faktorët që ndoshta ka penguar ose që ka ngadalësuar procesin e përzgjedhjes ka qenë edhe procesi i zgjedhjeve vendore”, thotë Andoni. Një tjetër projekt ka nisur prej rreth një viti për të lehtësuar strehimin. Bëhet fjalë për ato familje me të ardhura të mira, por të cilat nuk përballojnë dot kostot e blerjes së apartamenteve. Qeveria subvencionon interesat e kredive në bankat e nivelit të dytë.

Rregullat

Aplikimi për banesë sociale apo për banesë me qira kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje, të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar te aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.

Bashkitë Apartamente

Bashkia e Beratit Strehuar 48 familje

Bashkia Tiranë 385 apartamente

Bashkia Durrës 340 apartamente

Bashkia Elbasan 96 apartamente

Bashkia Fier 96 apartamente

Bashkia Korçë 99 apartamente

Bashkia Berat 48 apartamente

Bashkia Kavajë 48 apartamente

Bashkia Peshkopi 24 apartamente

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›