E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli thirrje bankave: Kreditoni Bujqësinë

Bankat dhe institucionet e tjera të financimit duhet të rrisin kreditimin në sektorin e bujqësisë. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, gjatë një takimi me ekspertë, u shpreh se ky sektor tashmë është i qëndrueshëm dhe më i përgjegjshëm për kthimin e kredisë. Drejtore Ekzekutive e Unionit të Kursim Kreditit, Zana Konini, një ndër institucionet financiare që krediton bujqësinë, u shpreh se duhet më tepër bashkëpunim mes skemës së financimit privat dhe asaj të mbështetjes shtetërore në këtë sektor. Megjithë potencialet e mëdha, bujqësia mbetet sektori më pak i kredituar i ekonomisë shqiptare, duke zënë vetëm 1% të të gjithë portofolit të kredisë. “Nëpërmjet programeve mbështetëse do të vazhdojmë të nxisim gjithnjë e më shumë prodhimet vendase në drufrutore, ullishte, vreshtari, në blegtori, në prodhimet bio etj., si edhe do të vazhdojmë të favorizojmë ndërmarrjet e vogla e të mesme të sektorit nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit, fondit të garancisë etj.,” tha Ruli. Ai tha se, programi kombëtar i arroreve i iniciuar nga kjo qeveri ka shanset maksimale për të gjallëruar industrinë agroushqimore krahas rritjes së punësimit në zonat rurale dhe ato të paavantazhuara. Ky program ashtu si ai i ullirit shfrytëzon më së miri potencialet prodhuese dhe avantazhin krahasues në këtë treg. Ministri i Bujqësisë garantoi se agroindustria dhe ferma shqiptare do të jenë subjekt i programeve të subvencionimit edhe nëpërmjet programeve dhe projekteve të huaja, të cilat synojnë arritjen e standardeve të BE. Këto programe synojnë arritjen e standardeve të BE. Rritja e prodhimit dhe veçanërisht rritja e eksporteve të sektorit bujqësor, ka shënuar 40% deri tani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›