E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i sigurimeve shoqërore

21/02/2011  Nëpunësit që tejkalojnë fondet për pagesa dënohen me gjobë nga 3 - 7 paga

Çelja e parave për pensionet, ish-ushtarakët dhe kategoritë që trajtohen nga ISSH-ja

Ministria e Financave ka hartuar udhëzimin për zbatimin e buxhetit të vitit 2011. Sipas tij, buxheti i shtetit transferon në buxhetin e sigurimeve shoqërore, kontributet për sigurimin shoqëror për disa kategori, siç janë ish-ushtarakët, pensionistët, personat që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, personat që marrin asistencë deri në një vit, për gratë që dalin në pension dhe kanë kryer shkollën e lartë, punëtorët e nëntokës dhe Industrisë Ushtarake, apo personat kujdestarë për paraplegjikët. Transferimet për këto kategori bëhen çdo muaj sipas planit të përcaktuar. Buxheti vjetor fillon më 1 janar dhe mbaron më 31 dhjetor të çdo viti. Plani i buxhetit detajohet në nivel vjetor dhe mujor dhe depozitohet në Ministrinë e Financave. Ata nëpunës që lejojnë tejkalimin e fondeve të shpërndara buxhetore ose kryejnë pagesa që tejkalojnë fondet e angazhuara dënohen me gjobë nga 3-7 paga.

Sigurimet Shoqërore

Më konkretisht, buxheti i shtetit kompenson pensionistët për rimbursimin e shpenzimeve nga rritja e çmimeve, financon pensionet e posaçme shtetërore, shtesat e pensioneve të posaçme, shpërblimet për veteranët dhe invalidët e luftës, shpërblimet për invalidët e punës dhe shpenzimet për furnizimin e tyre me karburant, etj, duke i derdhur në llogaritë e ISSH-së çdo muaj sipas planit, por jo më shumë se kufiri vjetor i shpenzimeve, miratuar nga Kuvendi. Po kështu edhe financimet për përballimin e shpenzimeve që lidhen me dhënien e ndihmës, në rast vdekjeje transferohen në llogaritë e ISSH-së çdo muaj sipas planit. Pagesa kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore nëpërmjet drejtorive rajonale dhe agjencive të sigurimeve shoqërore, në bazë të certifikatës së vdekjes së lëshuar nga zyrat e gjendjes civile të komunave apo bashkive, të kërkesës dhe faturës së shpenzimeve të paraqitur nga familjarët e personit të vdekur. Në Bankën e Shqipërisë funksionon një llogari speciale për menaxhimin e transaksioneve të pagesave të buxhetit të ISSH-së. Ministri i Financave cakton personat e autorizuar për të vepruar me këtë llogari. Fondet përkohësisht të lira për shkak të mos tërheqjes së pensioneve çdo muaj administrohen në bankat e nivelit të dytë në formën e depozitave afatshkurtra.

Kategoritë

Për personat që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, kontributet llogariten në bazë të pagës së realizuar nga këta persona para se të fillonte shërbimi i detyrueshëm ushtarak ose në mungesë të saj, në bazë të pagës minimale dhe normës së kontributit. Financimet nga buxheti bëhen çdo muaj, sipas planit. Brenda datës 10 të muajt prill, gusht dhe dhjetor, ISSH paraqet në degën e Thesarit, evidencën e numrit mesatar të ushtarëve për katërmujorin të dërguar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme. Mbi bazën e këtij numri bëhet llogaritja e kontributeve të 4-mujorit. Për personat që trajtohen me pagesë deri në një vit, si të ardhur për papunësinë, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, kontributet individuale llogariten në bazë të pagës së realizuar para se të ndërpriteshin marrëdhëniet e punës dhe normës së kontributit. Për ushtarakët që trajtohen me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi kontributet llogariten mbi pagën referuese dhe normës së kontributit për degën e pensioneve. Për gratë të cilave u lind e drejta për pension në vitin buxhetor, për aq vite sa kanë kryer shkollën e lartë me shkëputje nga puna, kontributet llogariten në bazë të pagës minimale që ka miratuar qeveria në vitin buxhetor dhe normës së kontributit. Për punëtorët e nëntokës dhe të Industrisë Ushtarake, llogaritja e kontributeve bëhet në bazë të pagës minimale dhe normës së kontributit. Për personat kujdestarë që u shërbejnë paraplegjikëve, kontributet individuale llogariten sipas pagës minimale dhe normës së kontributit.

Rregullat e përgjithshme

Plani i buxhetit detajohet në nivel vjetor dhe mujor dhe depozitohet në Ministrinë e Financave. Buxheti i vitit 2011 përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe fondi i kompensimit të pronave. Shpërndarja e fondeve buxhetore për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për programe dhe zëra shpenzimesh, mund të jetë më pak se sa totali i fondeve të miratuara nga Kuvendi për ato njësi dhe për periudha më pak se një vit. Nëpunës autorizues që vendos gjobat në rastet e abuzimit me fondet është Sekretari i Përgjithshëm në njësitë e qeverisjes qendrore, ose titullari atje ku nuk ka sekretar të përgjithshëm. Në njësitë e qeverisjes vendore është kryetari i njësisë ose zëvendësi, nëse kryetari vendos ta delegojë përgjegjësinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›