Banka Botërore Nuamah: Debatet për çmimin mes CEZ dhe ERE, normale, garancia s’preket
Autori i Lajmit: RedaksiaPronari i ri i OSSH-së, kompania çeke CEZ nuk do ta ketë të lehtë të marrë garancinë prej 60 milionë euro të Bankës Botërore ashtu siç paralajmëroi pas vendimit të Entit Rregullator për rritjen me 13% të çmimit të energjisë dhe jo 23% sa kishte kërkuar. Përfaqësuesja e institucionit financiar ndërkombëtar në vendin tonë, Camille Nuamah deklaron se tërheqja e garancisë është një proces i gjatë që do të kërkojë shumë konsultime. “Lidhur me garancinë, ajo çka është interesante është se procesi i garancisë synohet si i tillë për të lehtësuar procedurat. Dialogu midis firmës dhe kompanisë. Pyetja juaj është nëse CEZ mund ta marrë garancinë, është shumë herët për ta parë sepse jemi ende në fazat e hershme të një dialogu të tillë. Ka shumë raste diskutimesh mes palëve për të parë dokumentet dhe të dhënat të cilat duhet të vazhdojnë përpara se të arrijmë përfundime të tilla. Në këtë moment shqiptarët nuk paguajnë për koston e energjisë elektrike. Ju nuk mund të shkoni nga mospagimi i kostove në një rimarrje e shlyerje të kostos brenda një viti. Kjo është pothuajse e pamundur. CEZ ka nevojë për të investuar menjëherë në mënyrë që të arrijnë disa qëllime që ata janë të detyruar lidhur me lëvizjen tarifore” shpjegon Nuamah. Përfaqësuesja e Bankës Botërore nuk ka komentuar masën e rritjes së energjisë por i ka sugjeruar qeverisë të mbrojë shtresat e varfra. “Këshilla jonë për qeverinë është që subvencionet duhet të shkojnë drejt shtresës më të varfër. Ne jemi gati për të nisur disa aktivitete që po kryejmë së bashku me PNUD-in për ti hedhur një vështrim mekanizmit të mbrojtjes sociale për të siguruar mbështetje financiare për familjet e varfra lidhur me tarifat e energjisë elektrike. Për sa i përket rekomandimit tonë lidhur me subvencionimin e energjisë është që qeveria duhet ti fokusojë burimet e kufizuara tek të varfrit ekstremë” theksoi Nuamah. Debatin e krijuar lidhur me rritjen e çmimit, përfaqësuesja e Bankës Botërore e konsideron normal në një situatë që ndodh edhe në vendet e tjera të botës por që bën përshtypje në Shqipëri pasi është i pari i kësaj natyre.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009