Tatimorët, tani mund ti sekuestrojë biznesit kompjuterët
Autori i Lajmit: Silvana BalliuQeveria ka dërguar në Kuvend një ligj, sipas të cilit Tatimorët mund ti bllokojnë pajisjet kompjuterike të bizneseve me të gjitha të dhënat fiskale, për një muaj, nëse dyshojnë se ka fshehur xhiron.
Por, kjo nismë e Ministrisë së Financave ka shkaktuar debate të forta dhe kundërshtime tek disa deputetëve të vetë mazhorancës që e kanë konsideruar atë si represive dhe që cenon të drejtat e biznesit. Së bashku me këtë nismë, qeveria ka dërguar për miratim në Kuvend edhe disa masa të tjera shtrënguese, për bizneset që nuk pajisen me kasat fiskale dhe nuk lëshojnë fatura tatimore. Sipas draftit, bizneset që nuk kanë instaluar kasat dhe që nuk lëshojnë fatura tatimore, gjobiten automatikisht 100 mijë lekë. Nëse edhe pas dhjetë ditësh tatimet konstatojnë se i njëjti biznes sërish nuk e ka kasën dhe nuk lëshon kupon gjoba për herën e dytë bëhet 500 mijë lekë dhe në rast përsëritje atëherë tatimet bllokojnë aktivitetin për 6 muaj. Një Komisionin e Ekonomisë pro këtij ligji ishte deputeti, Florion Mima, ndërsa ka tentuar të argumentojë se si ky ligj nuk cenon të drejtat e biznesit.
Sekuestrimi
Nëse, sipërmarrësit nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre atëherë tatimorët kanë të drejtë që të sekuestrojnë pasuritë e këtij tatimpaguesi. Administrata tatimore mund ta sekuestrojë pasurinë sipas detyrimit vetëm pas vendosjes së masës së sigurisë mbi pasurinë dhe vetëm kur kanë kaluar 30 ditë, nga data kur është marrë urdhri i sekuestrimit. Pasuria e sekuestruar shitet në ankand. Të ardhurat që do të përfitohen nga shitja në ankand e pasurisë së këtij tatimpaguesi do të përdoren për të paguar shpenzimet e shitjes si dhe për të paguar koston administrative, gjobat, interesin dhe tatimin. Shuma e mbetur i kthehet tatimpaguesit brenda pesë ditëve nga data e përfundimit të ankandit.
Kontrolli
Tatimorët gëzojnë çdo të drejtë për të kryer kontroll tek bizneset. Administrata tatimore kontrollon deklaratat tatimore, llogaritë, librat dhe regjistrimet tatimore të tatimpaguesit, përfshi këtu të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me të ardhurat, shpenzimet aktive dhe marrëdhëniet financiare me palët e treta. Zgjidhja e tatimpaguesve që kontrollohen bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut të kryer nga administrata tatimore për të identifikuar tatimpaguesin, i cili është i prirur për të shkelur legjislacionin tatimor. Ministri i Financave do të jetë ai që do miratojë procedurat për kryerjen e kontrolleve tatimore.
Forca
Tatimorët kanë të drejtë të mbledhin taksat edhe më anë të forcës dhe këtë të drejtë tani ia jep projektligji i ri “Për procedurat tatimore”. Sa herë që administrata tatimore gjykon se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata i dërgon me postë rekomande një njoftim me shkrim ku kërkon pagesën e plotë të detyrimeve që ka subjekti. Por, nëse tatimpaguesi nuk përdor të drejtën e tij të ankimit dhe nuk paguan detyrimin tatimor, administrata tatimore duhet ta mbledhë tatimin me çdo kusht, duke përdorur disa mënyra. Tatimorët kanë të drejtë ti ndalojnë sipërmarrësit të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo masë do të merret ndaj të gjithë atyre personave që kanë detyrime të papaguara. Por nuk mbaron me kaq. Tatimorët kanë të drejtë që të ndalojnë transferimin jashtë shtetit të shumave të depozituara në llogaritë bankare në emër të individit tregtar apo të shoqërive tregtare që ka detyrime të papaguara.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009