E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina dhe OBT, histori e suksesshme

Pas 15 vite debatesh të nxehta Kina është bërë në dhjetor 2001, anëtarja e 142-të e Organizatës Botërore të Tregtisë. OBT e ka ndihmuar shumë Kinën të bëhet një prej vendeve me kuotën më të lartë të zhvillimit ekonomik. Që në vitin 1986 Kina ka kërkuar anëtarësimin në GATT (Marrëveshja e Përgjithshme e Tarifave dhe Tregtisë), që ishte paraardhësja e Organizatës Botërore të Tregtisë. Anëtarësimi i saj nuk kishte ndonjë mbështetje serioze, ndërkohë që as Pekini nuk ishte tepër i interesuar. Por në vitin 1998, presidenti i atëhershëm, Zhu Rongji paraqiti një kërkesë të re, pasi vendi i tij përballej me vështirësi të shumta ekonomike dhe domosdoshmërinë e reformave. "Ka pasur shumë reforma që duhej të zbatoheshin, por kjo nuk ishte e mundur. Premtimi i Zhu Rongji në Amerikë për nisjen e këtij procesi, ishte në fakt një përpjekje e tij për të gjetur një fuqi të jashtme me shpjegimin: Ne duhet të bëjmë reforma, sepse OBT-ja i kërkon këto prej nesh. Dhe kjo solli një dinamikë tjetër në vend", - thotë Doris Fischer nga Instituti Gjerman për Zhvillim Ekonomik (DIE). Kina nuk është më ndonjë vend i zakonshëm. Tani Kina është vendi me popullatën më të madhe në botë dhe me një potencial të jashtëzakonshëm të fuqisë së lirë punëtore. Amerikanët dhe europianët ishin të brengosur për shkak të mundësisë së vërshimit të tregjeve nga prodhimet kineze. Ata kërkonin prej saj lëshime dhe koncesione. Më 11 dhjetor 2001, Kina u bë anëtarja e 142 e OBT-së. "Ne kemi paguar një çmim të lartë për këtë anëtarësim", - kujton ministri i Tregtisë, Chen Deming. Këtu mendon ai për presionet që janë bërë, në radhë të parë ndaj bujqve kinezë dhe sipërmarrjeve të dobëta të shtetit kinez. "Në fund të fundit, Kina e ka mbijetuar mirë. Ka pasur një dinamikë te zhvillimit të lartë ekonomik në të gjitha fushat. Kjo ka ndihmuar që vendi të rimëkëmbet", shprehet Doris Fischer.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›