E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore, 425 milionë USD Shqipërisë



Banka Botërore ka dhënë një hua prej 425 milionë USD (331 milionë euro) për Shqipërinë për të ndihmuar rritjen ekonomike në vitet 2011-2014. Lajmin e bëri të ditur dje agjencia e lajmeve "Associated Press", e cila shkruan se "zyrtarët nga Banka Botërore dhe Qeveria shqiptare thanë se paratë do të përdoren për disa projekte infrastrukturore, për të përmirësuar sistemin publik të shëndetësisë dhe projekte të tjera publike". Ky fond i akorduar nga Banka Botërore vjen dy ditë pasi Qeveria shqiptare ka miratuar disa marrëveshje për të marrë rreth 3.2 miliardë euro kredi. Këto fonde do të përdoren për investime në infrastrukturë, energjetikë, ujësjellës dhe modernizimin e spitaleve. Duke folur në mbledhjen e kabinetit, Kryeministri Berisha deklaroi se ndryshe nga pesë vjet më parë, këto kredi nuk kanë për qëllim rritjen e pagave dhe pensioneve. "3.2 miliardë euro është financimi, me të cilin Shqipëria do të ndryshohet tërësisht në infrastrukturën e saj rrugore, në infrastrukturën ujore, në energjetikë, në lidhjet e saj elektrike. Dua t'ju informoj se në takimin e djeshëm me BERZH-in i kërkova këtij institucioni të madh financiar të konsiderojë me seriozitetin më të madh, të marrë nismën për projektin tjetër madhor midis Tiranës dhe Prishtinës, linjën hekurudhore", u shpreh Kryeministri Berisha. Më konkretisht me këto fonde do të ndërtohet rruga Tiranë- Elbasan, rrugët rurale, financohen SME, do ndërtohen linjat elektrike Tiranë-Prishtinë dhe Tiranë-Shkup, rruga e Arbrit, Boshti i Jugut, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›