Vrasja, Coli debat me dëshmitarin
Fatos Mahmutaj
Gjykata e Krimeve të Rënda, dëgjoi dje dëshmitë për vrasjen e Ndriçim Saliut, vëllai i biznesmenit Klodian Saliu, njëri prej krerëve të kësaj bande. Dëshmitari Selio Xhani, i dënuar në vitin 2005 për armëmbajtje pa leje tha se katër vitet e fundit është kuruar pasi ka pasur hekura në këmbë dhe plumba. "Jam plagosur në vitin 2007, kur u vra Ndriçim Saliu, pronari i lokalit ku punoja. Ndriçimi ka pasur vëlla Klodin dhe Arjanin, ndërsa motrën s`ia njoh. Për herë të parë në banesën e vëllezërve Saliu kam shkuar në vitin 2005, kam marrë çelësat dhe jam futur brenda. Adriatik Colin e njoh. Ka ardhur tek "Cikloar", pronë e vëllezërve Saliu. Endrit Doklen e kam njohur tek puna, rrinte me pronarin. Doklen e kam pasur edhe në shkollë, kemi qenë bashkë në 8-vjeçare, tek shkolla "Demokracia". Klodianin e kanë vrarë në vitin 2005. Kam marrë pjesë në funeralin e tij. Pas vrasjes nuk jam takuar më as me Colin, as me Doklen. Nuk më kujtohet nëse kanë qenë në funeral apo jo. Nuk e di nëse Klodiani merrej me tregti nafte, di që kanë pasur një rrobaqepësi, që e mbyllën shumë shpejt", pohoi dëshmitari. Pas kësaj i penduari Coli i drejtoi dëshmitarit disa pyetje.
Debati i të penduarit me dëshmitarin:
Coli: Klodian Saliu kishte të dashur?
Xhani: Po ka pasur.
Coli: Kë ka pasur?
Xhani: Se di.
Coli: Sa muaj ka fjetur te shtëpia jote Klodian Saliu dhe e dashura e tij?
Xhani: Ka ndenjur 2-3 muaj, i kam marrë qiranë. Nuk e njoh të dashurën, ka pasur shumë. Njoh një me emrin Irena.
Coli: Irena Isufi.
Ndërhyn Endrit Dokle: është Irena e pallatit 176.
Coli: Si i quajnë fëmijët e Arjan Saliut?
Xhani: Enkelejd, Jurgerta, Geni.
Coli: A ke shkuar për t'i marrë fëmijët tek kopshti?
Xhani: Jo nuk kam pasur patentë, isha 17-vjeç.
Coli: Sa shpi ka Abedin Saliu?
Xhani: Unë e di për një shtëpi, tek zdrukthëtaria, lart nga varrezat.
Coli: A ke hyrë ndonjëherë tek shtëpia?
Xhani: Po kam hyrë.
Coli: Klodiani çfarë makina kishte?
Xhani: Benz 240 dhe Benz 250
Coli: çfarë ngjyre?
Xhani: Ngjyrë bezhë dhe gri.
Coli: A ka pasur Klodi furgon?
Xhani: Po.
Coli: Altin Begu rrinte me ne?
Xhani: Po ta shoh për fytyrë të them.
Coli: Kur është vrarë Ndriçim Saliu, ti ke qenë prezent?
Xhani: Po, isha në tavolinë.
Coli: Personi që ju qëlloi ishte i dobët apo i shëndoshë?
Xhani: Ka qenë i dobët, 1.68 cm i gjatë. Ishte i gjatë sa unë. E pashë me kurriz pasi iku i hipi motorit.
Dëshmia e Lutfi Shabanit
Më pas gjykata dëgjoi dëshminë e Lutfi Shabanit, një eksponenti të njohur në fushën e trafikut të narkotikëve. Ai u dërgua me pranga në sallë të gjyqit, pasi aktualisht ndodhet i paraburgosur për trafik narkotikësh. "Në vitin 2001 jetoja në Durrës dhe Tiranë. Nga të pandehurit njoh Indrit Taullaun, Lulzim Berishën, Endrit Doklen, si dhe Adriatik Colin që e kam pasur edhe shok në shkollë. Erjon Lamen e njoh si çun lagjeje dhe ai ka qenë më i vogël se mua. E kam takuar për herë të fundit Erjon Lamen ditën që ai u vra. Atë ditë unë isha në Tiranë dhe më kanë marrë në telefon, ka qenë janar i vitit 2001 ose 2002. Takova Lamen dhe piva kafe me të për 10 minuta. Më pas, ika. Erjonin e gjeta atë ditë në kafe, ndërsa unë u nisa vetëm për në Tiranë. Erjoni nuk di të merrej me ndonjë lloj biznesi, pasi ai ishte vetëm 22 vjeç dhe e mbante familja që kishte një dyqan. Për vdekjen e Erjon Lames më ka marrë në telefon Enea Prifti dhe më tha që kishin goditur me armë Erjonin. Nuk e di vendin se ku u vra, pasi unë isha në Tiranë. Vajta në Spitalin Ushtarak dhe aty morëm vesh se ishte vrarë dhe kishte vdekur. Mua erdhi dhe më mori policia, meqë unë rrija me Erjonin. Ndenja në polici tërë natën dhe atë natë aty ishte edhe Adriatik Coli bashkë me familjen e tij. Atë e kishin thirrur aty pasi dyshohej si vrasësi i Erjon Lames. Bisedova me Tikun dhe ai bënte be që nuk e kishte vrarë Erjon Lamen", përfundoi Ben çami.
Oficeri: Dëshmitarit i kanë bërë presion
Arben Frashëri, oficer i policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda, tha dje në gjyq se më 27 qershor 2010 ishte telefonuar nga prokurori Anton Martini, i cili, i ka thënë se kishte një problem me dëshmitarin Edmond Quku nga Durrësi që kishte shqetësime për të dëshmuar në gjyqin e bandës së Durrësit. Ky dëshmitar, pak ditë më parë u arrestua në sallën e gjyqit për ndryshim të dëshmisë. "Më tha në telefon se nuk vinte dot vetëm në Tiranë pasi kishte frikë dhe kërkonte që të shoqërohej si dhe që kishte ikur nga shtëpia. Shtyrja e seancës bëri që të komunikoja ca ditë më vonë me të, por ai më tha se do vinte vetë në Tiranë me makinën e nipërve dhe do shiheshim te "Zogu i Zi". Mu duk ende se ishte i shqetësuar kur fola. E takova te gjykata dhe pashë që ishte në siklet. Nuk ishte mirë dhe e pyeta se mos donte ta çoja në spital. Më tha se kishte sikletet e tij dhe kishte muaj i ikur nga shtëpia. Tha se që kur ishte thirrur si dëshmitar nuk ndjehej mirë dhe i kishin bërë telefonata anonime. Sikleti i tij ishte dëshmia në gjyq. f.m.
"Coli, borxh lekët e karrotrecit"
Dëshmitari Islam Jakupi, shofer karroatreci dëshmoi dje se në vitin 2004 kishte transportuar nga Durrësi në Tiranë një makinë të Adriatik Colit dhe se ky i kishte ende borxh një pjesë të lekëve të këtij shërbimi. Makinën e morëm në Xhafëzotaj. Coli ishte para me një makinë, unë pas. Pasi e morëm u takuam te Zogu i Zi. E ndoqa pas dhe përfunduam në një rrugicë majtas "21 dhjetorit". Pas pak ditësh ai e ka marrë makinën sërish në Durrës me porosi të Colit dhe e ka kthyer në Durrës. Te servisi ku gjente Colin ka parë policinë, të cilët ia kanë marrë makinën që transportonte. Për këtë ai është paguar vetëm 80 mijë lekë të vjetra, ndërsa dyfishin e kësaj shume pohoi se Coli ia kishte borxh që nga viti 2004. f.m.