E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Cefa: Mijëra abuzime



Erald Kapri

Gjatë 17 viteve janë dhënë 60 mijë vendime për pronat, por mijëra prej tyre janë dhënë në mënyrë abuzive. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa deklaroi dje në Komisionin e Ligjeve se është konstatuar kohët e fundit, se nga 7 mijë kërkesa të reja për njohje prone, është gjetur që ato prona janë të zëna. Sipas Cefës, nëse nuk miratohen ndryshimet në ligj për rishikimin e vendimeve, praktikisht këto kërkesa për njohje prone do të shpallen negative. "Jemi në trajtimin e kërkesave të fundit të pronarëve. Janë rreth 7 mijë kërkesa pa vendime, që do të thotë, që prona, e cila pretendohet nga këto 7 mijë subjekte, nuk është e lirë. Në të gjitha rastet është e zënë nga dikush tjetër dhe shpeshherë, në mënyrë abuzive. Atëherë, nëse Agjencia do të funksionojë me ligjin ekzistues, siç e ka lënë gjykata ekzistuese, destinacioni i të gjithë këtyre njerëzve, do të jetë vendimi negativ", tha Cefa. Deklarata e Drejtorit të AKKP-së u bë dje në Komisionin e Ligjeve, ku maxhoranca miratoi projektligjin e propozuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj për rishikimin e vendimeve të dhëna në vite, si nga ish-zyrat rajonale të AKKP-së, ashtu edhe nga ish Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Opozita kundërshtoi këtë projektligj dhe u largua nga votimi i tij në komision, duke e cilësuar si antikushtetuese. Sipas tyre, vetëm gjykata mund të rishikojë vendimet e vjetra të pronave. Ata paralajmëruan se këtë projektligj do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. "Bëhet fjalë për një ligj që është ndryshuar 8 herë dhe Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar 3 herë", tha deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, duke shprehur bindjen se ligji do të rrëzohet në Kushtetuese. Deputetët e të dyja palëve debatuan për këtë projektligj, ndërsa deputetët e opozitës kërkuan shpjegime nga Drejtori i AKKP-së. Ata deklaruan se vetëm gjykata mund të ndryshojë vendimet e pronësisë, ndërsa Drejtori i AKKP-së Cefa dhe deputet e PD-së thanë se nuk mund të hiqet mundësia e shqyrtimit administrativ. "Edhe gjykatat e tjera eprore, kanë ndryshuar vendime të dhëna nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, totalisht haptazi në kundërshtim me ligjin, kanë disponuar me ndryshime të akteve absolutisht të pavlefshme. Atëherë, sa për ta detyruar Agjencinë të japë vendim negativ, le ta shkrijmë agjencinë dhe ta mbarojë këtë proces gjykata", tha Cefa. Ai shpjegoi më tej se numri i vendimeve të dhëna në mënyrë abuzive dhe jo ligjore është relativisht i lartë. "Të paktën në 50 për qind të pretendimeve të reja konstatohet që në atë pronë ka një vendim të dhënë më përpara në kohë. Në këto raste, 50 për qind e vendimeve të dhëna më parë kanë probleme. Mund të mos jenë abuzive totalisht, por mund të jenë vendime që kanë probleme si spostime të pronave, pasi ka qenë tendenca për të marrë prona në vend ku ka çmim më të lartë si në bregdet. Problematika është 360 gradë. Ka vendime që janë dhënë me dokumente të falsifikuara", tha më tej ai.

Avokati i Popullit: Ligji u shpall antikushtetues
Komisionari i Avokatit të Popullit Alfred Paskali deklaroi dje në Komisionin e Ligjeve se Gjykata Kushtetuese rrëzoi nenet në ligjin e pronave, ku kërkohej rishikimi i vendimeve të mëparshme. Sipas tij, vendimet e ish komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave janë barazuar me vendime gjykatash. "Unë mendoj se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e ish komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të pronave, e barazoi me vendim gjykate. Si institucion shprehemi që të ngrihet rruga gjyqësore, megjithëse ka nevojë për disa modalitete", tha Paskali. Por deputetët e djathtë në komision kërkuan shpjegime se pse të mos qëndrojë edhe shqyrtimi administrativ. Sipas tyre, projektligji jep siguri ligjore pasi përcakton afate për rishikimin e vendimeve. "Ne e shqyrtuam, analizuam dhe binte ndesh me Kushtetutën. Jam dakord që ligjet duhet të riparohen. Të dyja i njeh Kushtetuta, por problemi është se nëse kemi një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund që përsëri t'i rikthemi të njëjtat tagri një organi që Gjykata Kushtetuese i cilësoi si antikushtetuese. Ka edhe rrugë të tjera për ta zgjidhur këtë", iu përgjigj deputetëve të djathtë komisionari i Avokatit të Popullit, Paskali.

Pronarët, 60 ditë kohë për t'u ankuar në AKKP

Deputetët e Partisë Demokratike miratuan dje projektligjin për disa ndryshime në ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, duke përcaktuar se çdo i interesuar që kërkon rishikim vendimi për një pronë, të bëjë kërkesë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda 60 ditësh, pas ligji të hyjë në fuqi. Në këtë mënyrë, çdo qytetar që ka probleme me pronat duhet t'i drejtohet sa më shpejt AKKP-së. Projektligji i propozuar nga Alibeaj parashikon kriteret dhe procedurat për rishikimin e vendimeve, që kanë marrë formë të prerë të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, ish-komisioneve vendore për kthim dhe kompensim të pronave, si dhe të ish- komisioneve të rretheve apo bashkive për kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët. Sipas kësaj dispozite, AKKP-ja rishikon vendimet vetëm kur "zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës". Projektligji ka rregulluar me anë të një dispozite edhe situatën e rasteve kur shkaku për rishikim është zbuluar përpara momentit të hyrjes në fuqi të këtij ligji, duke vendosur afatin prej 60 ditësh nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit për të bërë kërkesën.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Sajmir Tahiri: Zoti Alibeaj të lutem se unë po flas këtu.
Enkelejd Alibeaj: Ore ç'ke ti, vazhdo bjeri kambanës.
Ilir Rusmali: Ajo është e keqja e tij, se s'ka kambanë.
Sajmir Tahiri: Po të kishe më pak fodullëk do t'i lije dhe këto batuta pa asnjë lloj sensi. Ky projektligj që propozohet është njëlloj si parashikimi i vjetër i ligjit i kaluar që u gjet antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Enkelejd Alibeaj: Këtë të drejtë që ju e cilësoni si të paligjshme të vjedhësve të pronave? Po për t'i goditur këto vendime vjedhësish prone, a nuk duhet t'i godasim administrativisht? Apo ti çojmë vetëm në gjykatë e cila mbetet një alternativë.
Alfred Paskali (Avokati i Popullit): Po ua them përsëri që ne e shqyrtuam, analizuam dhe binte ndesh me Kushtetutën. Jam dakord që ligjet duhet të riparohen. Të dyja i njeh Kushtetuta, por problemi është se nëse kemi një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese nuk mund që përsëri t'i rikthemi të njëjtat tagri një organi që Gjykata Kushtetuese i cilësoi si antikushtetuese. Ka edhe rrugë të tjera për ta zgjidhur këtë.
Ilir Rusmali: Ju mendoni se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e përjashton rrugën administrative?
Alfred Paskali(Avokati i Popullit): Unë mendoj se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e ish komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të pronave, e barazoi me vendim gjykate. Unë mendoj edhe si institucion që të ngrihet rruga gjyqësore, megjithëse ka nevojë për disa modalitete.
Elvis Cefa: Nëse i referohemi numrit total të vendimeve që nga viti '93, i kalon 60 mijë vendime dhe për të parur një shifër mbi abuzimet është pothuaj e pamundur. Por nga praktika e punës së AKKP-së, për këto vite të fundit, që nga krijimi i AKKP-së në vitin 2006, numri i vendime të dhëna në mënyrë abuzive dhe jo ligjore është relativisht i lartë. Të paktën në 50 për qind të pretendimeve të reja konstatohet që në atë pronë ka një vendim të dhënë më përpara në kohë. Në këto raste, 50 për qind e vendimeve të dhëna më parë kanë probleme. Mund të mos jenë abuzive totalisht, por mund të jenë vendime që kanë probleme si spostime të pronave, pasi ka qenë tendenca për të marrë prona në vend, ku ka çmim më të lartë, si në bregdet. Problematika është 360 gradë. Ka vendime që janë dhënë me dokumente të falsifikuara. Janë konstatuar raste kur është rimarrë një pronë me reformën agrare e vitit '46, kur ligji ynë nuk e njeh sepse edhe në atë kohë morën prona të dikujt tjetër. Ka raste kur edhe janë përjashtuar trashëgimtarë nga prona. Njëkohësisht edhe vendimmarrje skandaloze.
Vasilika Hysi: Pse mendoni ju që gjykatësit me përvojë s'kanë aftësi, ndërsa një drejtor mund të ketë më shumë aftësi? Pse juve, kur gjeni shkelje flagrante nuk i drejtoheni Prokurorisë por kërkoni që ju t'i rishikoni këto vendime?
Elvis Cefa: Gjykata kënaqet vetëm me pretendimet e palëve, por Agjencia i shton më tej për të zbuluar që zotëria që pretendon pronën të jetë ajo që pretendon dhe jo në majë të malit. Padrejtësitë më të mëdha janë bërë në tokën shtetërore dhe shteti është kthyer në pronarin më të vogël. Aty janë bërë padrejtësitë më të mëdha.
Sajmir Tahiri: A t'i shtetëzojmë prapë thoni ju?
Vasilika Hysi: Nuk më thatë sa denoncime keni bërë?
Elvis Cefa: Nuk mund t'u them me saktësi. Nuk shkojnë me qindra por duke parë praktikën e Prokurorisë, fajtorët shpesh nuk dënohen dhe është e kotë të denoncosh ish anëtarët e Komisionit të pronave. Jemi juristë dhe e dimë që ata s'kanë shans të dënohen.
Shegushe Ligori: Zotëria i AKKP-së tha që me pronën shtetërore është bërë masakër. Por a e di ai që në nenin 1 të ligjit, nuk ka të drejtë bëjë me këtë.
Elvis Cefa: Jemi në trajtimin e kërkesave të fundit të pronarëve. Janë rreth 7 mijë kërkesa pa vendime, që do të thotë, që prona, e cila pretendohet nga këto 7 mijë subjekte, nuk është e lirë. Në të gjitha rastet është e zënë nga dikush tjetër dhe shpeshherë, në mënyrë abuzive. Atëherë, nëse Agjencia do të funksionojë me ligjin ekzistues, siç e ka lënë gjykata ekzistuese, destinacioni i të gjithë këtyre njerëzve, do të jetë vendimi negativ. Atëherë, sa për ta detyruar Agjencinë të japë vendim negativ, le ta shkrijmë agjencinë dhe ta mbarojë këtë proces gjykata. (opozita largohet nga komisioni)
Fatos Hoxha: është e mbyllur sot Gjykata Kushtetuese
Sheguse Ligori: Me këto veprime tuaja ne duhet të rrimë për ditë në Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›