E Shtunë, 31 Tetor 2026

ANALIZA E POLICISË, Rriten vrasjet dhe krimet e rënda, bie zbulimi i krimeve



Artan CENA
TIRANË - Krimet e rënda janë rritur në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2009. Gjatë analizës së gjashtë muajve të parë të vitit 2010, të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj tha se, janë evidentuar 388 vepra penale kundër personit dhe janë zbuluar 357 prej tyre ose 92 për qind e tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhe ka një rritje të veprave penale kundër personit me 33 vepra më shumë, por dhe ulje të fuqisë zbuluese me 3 për qind. Sipas tij, janë zbuluar 15 krime të vjetra kundër personit nga të cilat 10 janë vrasje. Gjatë gjashtë muajve të parë të 2010, kanë ndodhur 51 dhe zbuluar 44 ose 86.2 për qind e tyre, kur gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2009 kanë ndodhur 44 vrasje dhe janë zbuluar 35 ose 80 për qind e tyre. “Gjatë kësaj periudhe ka një rritje 6 për qind të forcës zbuluese”, tha Burgaj. Vihet re se në krimet e rënda vetëm numrit i vrasjeve të mbetura në tentative krahasuar me 6 mujorin parë të vitit 2009, është ulur. “Ka një rritje me 33 vepra penale më shumë se një vit më parë, por edhe ulje të fuqisë zbuluese me 3 për qind”, tha dje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj.
Krimet kundër pronës
Gjatqë gjashtë mujorit të parë të vitit 2010, janë evidentuar 2153 vepra penale të krimit kundër pronës dhe janë zbuluar 955 ose 44 për qind e tyre. Në 2009 kanë ndodhur 1669 dhe zbuluar 760 ose 46 për qind, ka rritje me 484 vepra penale për 2010. Gjatë kësaj periudhe janë zbuluar 113 krime të vjetra kundër pronës. Gjithashtu nga muaji Janar deri në Qershor, i këtij viti janë rritur shumë dhe vjedhjet me dhunë. “Janë evidentuar 80 raste dhe zbuluar 40 ose 50 për qind e tyre, kur me 2009 janë evidentuar 53 dhe zbuluar 29 ose 55 për qind e tyre”, tha dje Burgaj. Siç vërehet kemi një rritje te kësaj vepre penale me 27 vepra penale më shumë si dhe ulje të fuqisë zbuluese me 5 për qind. Gjithashtu, vjedhje me arme janë evidentuar 25 dhe janë zbuluar 15 ose 60 për qind e tyre. Pozitiv është fakti se në Shqipëri gjatë muajve të parë të 2010 nuk ka pasur vepra të rënda terroriste.
Krimi në familje
Në analizën e djeshme, ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, kërkoi një angazhim më të madh nga strukturat e Policisë së Shtetit përsa i përket krimit në familje dhe asidenteve rrugore. 131 të vdekur në aksidente rrugore dhe 300 mijë kundravajtës janë ndëshkuar gjatë kësaj periudhe. "Vërehet një rritje e rasteve të dhunës në familje, janë shënuar 801 raste të ndodhura në 2010, kur gjate periudhës respektive 2009 janë evidentuar 556 raste të tilla, ose 255 raste më shumë. Shtimi i rasteve të denoncuara është rezultat i garantimit nga strukturat e policisë dhe masat mbrojtëse të këtij ligji", tha Hysni Burgaj, drejtor i Policise se Shtetit. "Analiza e gjashtëmujorit në të gjithë indikatorët paraqitet pozitive. Vera është sfida më e madhe për policinë rrugore, dhe vera e këtij viti do të jetë edhe treguesi më i mirë i efektivitetit të strukturës së re. Ajo që pritet është një përmirësim dyshifror i indikatorëve dhe ajo që pritet pas kësaj është konsolidimi i kësaj përvoje në mënyrë që ajo që ka nisur sot dhe dëshmohet nga qytetarët shqiptarë si një fushatë e ethshme e strukturave të policisë, të bëhet një fenomen permanent në itenerarin rrugor kombëtar", tha Lulëzim Basha, ministër i Brendshëm.

Policia dhe ndihma për vizat
“Lufta kundër kimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, pastrimit të parave, bllokimit të aseteve kriminale, bashkëpunimi me agjencitë e tjera të zbatimit te ligjit, mirëmenaxhimi i kufijve, kanë shënuar rezultate tepër pozitive”, tha Basha. Sipas tij, këto rezultate pritet të jenë një nga indikatoret kryesor në procesin e liberalizmit të vizave. Prioritet e Policisë së Shtetit në muajt në vazhdim do të jetë menaxhimi i kufijve, lufta kundër trafiqeve ndërkombetare, siguria e qarkullimin rrugor dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Pranga të shumëkërkuarit në Itali për trafik droge
KAVAJË - Policia e Kavajës ka bërë të mundur arrestimin e një shumëkërkuari për trafik droge. Sipas burimeve të policisë është arrestuar shtetasi Eduardo Krasniqi 39 vjeç nga Kavaja pasi ishte dënuar me 18 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, në Brindisi të Italisë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, që ka nën administrim zonën thanë se, “përgjatë ditës së djeshme, efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë, kanë bërë të mundur kapjen e personit të shumëkërkuar Eduardo Krasniqi, 39 vjeç, lindur e banues në Karpen të Rrethit Krujë”. I shumë kërkuari është prangosur mesditën e djeshme në fshatin Kapen të Kavajës, pasi ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë, në Brindisi të Italisë. Autoritetet e zbatimit të ligjit Italiane, kishin dënuar në mungesë të kërkuarin me 18 vjet burgim. 39-vjeçari akuzohet për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim” dhe “Krijim dhe drejtim të organizatës kriminale”. Ndërkohë, në ngarkim të tij edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, ka lëshuar për të, urdhërin e ndalimin për konsumim të veprave penale të “trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim” si dhe “krijim e drejtim të organizatës kriminale”. Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë është realizuar ekzekutimi i vendimit të autoriteteve të zbatimit të Ligjit Italian, si dhe urdhëri i ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, ndërkohë që shtetasi do të dërgohet për në vendin e vuatjes së dënimit për veprat penale të sipërcituara.

Rikthehen tek pronarët e tyre, 4 makina të vjedhura në Europë
TIRANË - Të paktën 4 makina lukzose, të bllokuara pasi rezultonin të vjedhura u janë rikthyer pronarëve të ligjshëm të tyre në tre shtete të huaja. Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat konfirmuan se në bashkëpunim me autoritetet Italiane, Daneze dhe Zvicerane, u realizua kthimi në këto shtete i katër automjeteve të vjedhura. Sipas prokurorisë, në Itali u rikthye automjeti tip "BMW M6C" dhe automjeti tip "Audi A 5 Sline", në Danimarkë. Ndërkaq automjeti tip "Benz Mercedes CLK", është dërguar në Zvicër, bashkë me automjetin tip "Audi A 4". Burimet zyrtare thanë se, vullneti i Prokurorisë së Përgjithshme për luftën kundër trafikimit të mjeteve motorrike dhe kthimin e të gjitha automjeteve të vjedhura që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë është i madh. Gjithashtu prokuroria bëri apel për qytetarët për të evituar blerjen e makinave në tregje informale dhe nga persona të paliçensuar. Kohët e fundit, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me autoritet e huaja gjyqësore, ka realizuar kthimin e dhjetra makinave që rezultonin të vjedhura.

Pranga në Itali, të dënuarit për vrasje në Shqipëri
TERAMO - I dënuar për vrasje në vitin 2006, është kapur në Itali i shpalluri në kërkim nga Interpoli. Myfit Ymeri është vënë në pranga mbrëmjen e dy ditëve më parë në Teramo, Itali. Sipas të dhënave të policisë italiane, të bëra të ditura nga media, shqiptari 56-vjeçar është kapur pa dokumenta në periferi të qytetit italian. Ai është shoqëruar në polici pasi kishte deklaruar një emër tjetër. Pasi është shoqëruar i janë marrë shenjat e gishtërinjve dhe gjatë kontrolleve është parë që ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Interpol Tirana, Shqipëri. Ai kishte deklaruar se i kishin humbur dokumentet dhe ishte shqiptar. Në vitin 2006 ai ishte dënuar me vendim të prerë me 11 vite burg. Sipas të dhënave, ai akuzohet për një vrasje të kryer në vitin 2003.

Kapet Çerraga, por transportonte 4 kg heroinë
BOLZANO - Në pranga një shqiptyar pasi është kapur me 4 kilogram kokainë. Selman Cerraga 43 vjeç është ndaluar mëngjesin e djeshëm. Sipas medias italiane, operacioni është bërë nga karabinierët e Bolzanos në bashkëpunim me ata të Veronës. Shqiptari ishte mbajtur prej disa kohësh nën vëzhgim dhe mëngjesin e djeshëm kur ai kishte dhe lëndën narkotike me vete është ndaluar. Arrestimi është bërë në rrugën drejt Adiges. Në makinë i është gjetur 3.3 kilogramë kokainë dhe pjesa tjetër në shtëpi.

Ilaçe pa lejen përkatëse, ndalohen 3 farmacistë
ELBASAN - Tre farmacistë janë nën hetim pasi kanë shitur ilaçe pa lejet përkatëse. Sektori kundër krimit ekonomik në drejtorinë e policisë së Elbasanit ka bërë të mundur ndalimin e tre farmacistëve për shitje të ilaçeve të pakontrolluara. Burime nga policia e Elbasanit bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit me inicialet A. F., 47 vjeç, K. B., 50 vjeç dhe A. D., 32 vjeç. Ndaimi i tyre është bërë pasi këta persona tregtonin ilaçe pa etiketën përkatëse. Gjithashtu gjatë kontrollit në farmaci policia ka bërë të mundur edhe bllokimin e 80 lloje ilaçesh të cilat ishin pa etiketën e lejes së ministrisë së shëndetësisë. Ndërkohë materialet i kanë kaluar prokurorisë së Elbasanit për hetime të mëtejshme.

17 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›