Vilat në bregdet, formulari i legalizimit
ADI SHKEMBI
Qeveria përcakton formularin që do të plotësojnë pronarët për legalizimin e ndërtimeve në zonat bregdetare. Ministria e Punëve Publike ka hartuar udhëzimin "për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin dhe formularit të të dhënave, për njësitë e ndërtuara në zonat e stimuluara, me përparësi turizmin". Kështu, në kërkesën e personit që kërkon të blejë truallin ku ka ndërtuar objektin në zonë turistike, janë të renditura disa dokumente që kanë të bëjnë me të dhënat mbi marrëveshjen e qirasë që ka me shtetin për ndërtimin në atë zonë, vendndodhjen e njësisë së ndërtuar dhe emërtimin e zonës së stimuluar, dhe të dhënat ndërtimore të njësisë së ndërtuar. Gjithashtu, duke iu referuar ligjit të miratuar në fund të vitit të kaluar "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", kërkohet kontrata e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtës së pronësisë, marrëveshjen e qirasë, lidhur mes personit të stimuluar (personi fizik ose juridik, i cili ka marrë nga shteti të drejtën për të ndërtuar në zonën bregdetare, me qëllim ngritjen e fshatrave turistikë) dhe qiradhënësit (në rastin konkret është shteti) si dhe lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar. "Kërkesat për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, shoqërohen nga dokumentacioni financiar që vërteton shlyerjen e tarifës së aplikimit dhe paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, ku regjistrohen. Të dhënat e përftuara nga administrimi i kërkesave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, pasqyrohen në formularin e të dhënave, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, i cili plotësohet, administrohet dhe ruhet nga një format dixhital", thuhet më tej në pikat 2 dhe 3 të udhëzimit të firmosur nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi. Formulari i të dhënave përmban elementët që kanë të bëjnë me "datën e paraqitjes së kërkesës, të dhëna mbi personin e stimuluar, apo gjeneralitetet e subjekteve të interesuara, të dhënat e tipit të marrëveshjes së lidhur me qiradhënësin, adresën e zonës së stimuluar/njësisë së ndërtuar, të dhënat e gjendjes ndërtimore të njësisë së ndërtuar, indeksin e dokumentacionit të pronësisë që disponohet për njësinë e ndërtuar, të dhëna të tjera të karakterit ndihmës". Këto të dhëna shërbejnë dhe përdoren për verifikimin e gjendjes juridike dhe në terren të truallit të njësive ndërtimore.
Njoftimi publik
Më herët, në një vendim të Qeverisë për përcaktimin e afatit dhe mënyrës së njoftimit publik për legalizimin e ndërtimeve në zonat bregdetare është parashikuar që ALUIZNI bën njoftimin për këtë proces për 20 ditë në dy gazetat më të mëdha në vend, televizionin publik dhe dy televizione kombëtare, si dhe në faqen e agjencisë në internet. Ky njoftim do të përmbajë afatin brenda të cilit subjekti i interesuar dhe personi i stimuluar duhet të paraqesin dokumentet pranë ALUIZNI-t, llojin e dokumenteve që duhet të paraqesë subjekti i interesuar/personi i stimuluar dhe masën e tarifës që duhet paguar.