Banka Botërore, 78 milionë dollarë kredi Shqipërisë për energjinë, çertifikohen politikat e saj reformatore
Banka Botërore ka miratuar një garanci me risk të limituar prej 78 milionë dollarësh për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Kjo garanci, e cila përfundon në 31 dhjetor të 2014, do të lehtësojë privatizimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë në Korporatën Energjitike duke i krijuar kështu mundësinë qeverisë shqiptare dhe CEZ-it të vënë në zbatim marrëveshjen e privatizimit për OSSH. Banka Botërore në një njoftim për shtyp të saj bën me dije se marrëveshja e privatizimit dhe kuadri i saj rregullues sigurojnë një trajtim plotësisht të balancuar. Sipas marrëveshjes së privatizimit OSSH zotohet se do të përmirësojë performancën në furnizimin me energji elektrike, ndërsa qeveria shqiptare dhe Enti Rregullues bien dakort të sigurojnë të ardhura të arsyeshme nëse ky objketiv arrihet. “Ne besojmë se kjo garanci do të ndihmojë OSSH të investojë në rrjetin energjitik, të pakësojë humbjet në këtë rrjet, të rrisë arkëtimet për përdorimin e energjisë, të përmirësojë situatën e furnizimit me energji për shqiptarët dhe të pakësojë ngarkesën fiskale që i është imponuar ekonomisë shqiptare” shprehet Demetrios Papathanasiou, kreu i grupit të Bankës Botërore që hartoi projektin. “Ky projekt do të ndihmojë gjithashtu në suksesin e tregut energjitik shqiptar dhe integrimin e mëtejshëm të tij në Komunitetin Energjitik” shton Papathanasiou. Tashmë mund të thuhet se janë tejkaluar ato momente kur qytetarët dhe ekonomia shqiptare vuante nga kriza energjetike dhe errësira totale, megjithatë kredia e re duket se do të ndikojë, jo vetëm për të mbajtur një çmim të balancuar të energjisë, por edhe që të kontribuohet që vendi të kthehet në një fuqi energjetike rajonale, pa u dëmtuar në sistemin e vet të shpërndarjes.
...