Jepen 10 vendimet e para nga komisioni i titujve të pronësisë në Vlorë

Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, i ngritur pranë Prefekturës së Qarkut të Vlorës, gjatë ditëve të fundit ka dhënë 10 vendimet e para të tij. Prefekti i Qarkut të Vlorës, Hasan Halili, tha se “vendimet lidhen me zbatimin e ligjit në procesin e ndarjes së tokës, që sikurse ka rezultuar është shkelur në mjaft raste e për pasojë kanë përfituar padrejtësisht persona të ndryshëm. Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë po shqyrton rast pas rasti ankesat që kanë mbërritur nga qytetarët, të cilat përfshijnë të gjithë territorin e Qarkut të Vlorës", sqaron prefekti Halili. Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë u krijua zyrtarisht në muajin nëntor të vitit të kaluar.Objekt i punës së këtij komisioni, është verifikimi i vlefshmërisë së titujve të pronësisë për tokën bujqësore, e ndarë me Ligjin 7501, nga i cili kanë përfituar rreth 400 mijë familje shqiptare në të gjithë vendin. Gjatë kësaj periudhe është punuar për plotësimin e personelit të komisionit, të kuadrit ligjor dhe kushteve të punës, ndërkohë që paralelisht me këtë janë shqyrtuar paraprakisht rreth 600 kërkesë-ankesa nga qytetarë të ndryshëm. Aktiviteti i kësaj strukture, shtrihet në një territor të gjerë deri në Konispol dhe në Xarrë(Sarandë), fakt që sipas prefektit Halili, "e vështirëson disi punën e specialistëve të këtij komisioni". Në Komisionin Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, përfshihen edhe përfaqësues nga njësitë respektive të qeverisjes vendore, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra e Mbrojtjes së Tokës, Prokuroria, Gjykata, Policia e Rendit dhe Inspektoriati i Ndërtimit. Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë kryhet në zbatim të Ligjit “Për Titujt e Pronësisë”, që u miratua në Kuvendin e Shqipërisë, në fillim të muajit korrik të vitit të kaluar. Në këtë ligj parashikohet, mes të tjerash, krijimi i Komisioneve Vendore të Vlerësimit, të kryesuara nga prefektët, ku gjatë një periudhe 3 vjeçare do të diskutohet vlefshmëria e titujve të pronësisë, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë abuzive.
...