Banka Botërore: Gabuam me projektin në Jalë
Institucioni do të ofrojë ndihmë legale dhe ekonomike për familjet, të cilave u shembën banesat
Drejtori i BB-së, Robert Zoellick, thotë se do të shqyrtohen veprimet e disa pjesëtarëve të stafit të bankës
TIRANË - Banka Botërore pranon se projekti i saj për bregdetin, zbatimi i të cilit rezultoi me prishjen e banesave në prill të 2007-ës, në bregdetin e Jalës, ka qenë i pastudiuar mirë. Në një komunikatë për median, presidenti i saj, Robert Zoellick, pohoi se veprimet e bankës kanë qenë skandaloze, duke filluar që nga menaxhimi i projektit bazë, deri në komunikimet me bordin dhe me grupin e inspektimit. Deklarata e kreut të Bankës Botërore vjen një ditë pas mbledhjes së bordit të kësaj banke, i cili kishte shqyrtuar raportin e një grupi inspektimi të saj në lidhje me zbatimin e projektit për Zhvillimin e Bregdetit Jugor. Hetimi rreth aplikimit në terren të Projektit për Menaxhimin dhe Pastrimin e Integruar të Zonës Bregdetare, ishte kërkuar nga familjet që u dëmtuan nga prishja e ndërtesave në Jalë, në prill të vitit 2007. Pas këtij akti, një grup inspektimi i ardhur në Shqipëri, në shtator të vitit 2007, hetoi në lidhje me pretendimet e banorëve për prishjet e banesave të tyre. Pjesë e hetimit, gjithashtu, ishte edhe vlerësimi i arritjeve në lidhje me aplikimin e politikave të Bankës Botërore në këtë zonë. Grupi i inspektimit paraqiti raportin e tij më 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga menaxhmenti i Bankës më 9 janar 2009 dhe do të mbetet i pezulluar deri sa të merret një vendim, ose për ristrukturimin, ose për pezullimin e tij të plotë. Ndërkohë që, pas publikimit të raportit të grupit të inspektimit, Banka Botërore pranoi se është vepruar gabim me prishjet në këtë zonë dhe se duhet të ishin mbuluar dëmet që u shkaktuan banorëve. Duke shprehur keqardhjen për gabimet që u bënë gjatë përgatitjes dhe zbatimit të projektit, Robert Zoellick kërkoi që të shqyrtohen edhe veprimet e disa pjesëtarëve të stafit të Bankës, të cilët akuzohen se nuk kanë qenë të gatshëm për t'i dhënë informacionin e plotë grupit të inspektimit. Pavarësisht shkeljeve të hasura, në njoftimin zyrtar thuhet se, për momentin, asnjë zyrtar qeverie apo pjesëtar i stafit të bankës, nuk është nën hetim për korrupsion nga Departamenti i Bankës për Integritetin Institucional. Menjëherë pas përballjes me këto shkelje, kreu i Bankës Botërore deklaroi se, organi që ai drejton, do të marrë të gjitha masat për t'u ardhur në ndihmë banorëve të zonës. "Në bazë të planit të veprimit, do të ndërmerren një sërë masash me mbështetjen tonë", - tha ai. Masat e marra përfshijnë rishikimin ligjor rast pas rasti të prishjeve të banesave në zonën e projektit, caktimin e një vëzhguesi të pavarur për monitorimin e këtij procesi dhe pagimin e ndihmës juridike për rishikimin e secilit rast për ankesat e banorëve. Plani parashikon, gjithashtu, paketa ndihmash për personat e varfër të prekur nga shkatërrimet, duke e llogaritur këtë ndihmë që nga koha kur u prishën shtëpitë. Duke siguruar që ngjarja e Jalës nuk do të ndodhë më, Zoellick tha se Banka po lëviz me shpejtësi për të forcuar mbikëqyrjen, përmirësuar procedurat dhe ndihmuar familjet, shtëpitë e të cilave u prishën. "Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri," - përfundoi ai.
Denoncimet e banorëve sollën ekipin e BB-së në Jalë
TIRANË - Projekti për Zhvillimin e Bregdetit të Jugut, ka filluar që në muajt e parë të vitit 2004, kur qeveria shqiptare i kërkoi Bankës Botërore mbështetje për hartimin e një projekti, që do ta lejonte vendin të zhvillonte në mënyrë të qëndrueshme zonën e tij bregdetare. Pas kërkesës nga pala shqiptare, Banka Botërore hartoi në bashkëpunim me këto autoritete, një projekt i cili synonte mbrojtjen e burimeve bregdetare, përdorimin e tokës me efektivitet, pjesëmarrjen e komunitetit dhe përmirësimin e kushteve të mjedisit. Projekti në fjalë u miratua në qershor të vitit 2005. Në prill të vitit 2007 u shembën banesa në Jalë, me pretendimin se pengonin realizimin e projekti. Banka Botërore vihet në dijeni të këtij rasti dhe jo më larg se 4 muaj nga kërkesa e banorëve, ajo dërgon një ekip inspektimi, të cilët vetëm komunikuan me banorët për të marrë shqetësimet e tyre. Pas këtij inspektimi, Banka Botërore dërgon edhe një grup tjetër për të parë situatën në terren. Ishte pikërisht raporti i këtij grupi, ai i cili i publikua në fillim të muajit janar, duke bërë që ky organ të ndërpriste deri në sqarimin e situatës financimin e këtij projekti dhe t'ia delegonte çështjen bordit të drejtorëve ekzekutivë të bankës. Pas shqyrtimit të të dhënave, ky bord doli në përfundimin se është vepruar gabim për prishjen e banesave në bregdetin e Jalës. Projekti ka një kosto të përgjithshme prej 38.6 milionë dollarë dhe ishte parashikuar të përfundonte në mars të vitit të ardhshëm.
Mëhilli: Probleme të brendshme të BB-së
TIRANË - Ministria e Punëve Publike reagoi menjëherë pas deklaratave të kreut të Bankës Botërore, i cili deklaroi se janë bërë gabime me prishjet e banesave në bregdetin e Jalës. Në një njoftim për shtyp, kjo ministri e cilëson si problem të brendshëm të vetë Bankës dhe jo të qeverisë, raportin e bordit të BB-së, i cili i ka cilësuar si abuzive prishjet në Jalë. "Deklarata e Bankës Botërore, e bërë ditën e djeshme, rikonfirmon faktin që problemet me projektin, Menaxhimi Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare, janë probleme të brendshme të Bankës Botërore. Këto probleme kanë të bëjnë me përputhshmërinë, me politikat dhe procedurat e vetë Bankës qysh gjatë konceptimit të projektit në vitin 2004 e në vijim, dhe aspak me çështje të lidhura me qeverinë e Shqipërisë apo Zyrën e Koordinimit të Projektit", - citon zëdhënësja e MPPTT-së, Erla Mëhilli. Duke e konsideruar të suksesshëm këtë projekt, në emër të Ministrisë së Punëve Publike, ajo konfirmoi se do të vazhdohet më tëj për realizimin e tij. "Përveç fuqizimit të institucioneve dhe hartimit të Planit të Zhvillimit të Zonës Bregdetare, ky projekt po mbështet edhe në përmirësimin e infrastrukturës së zonës, ku përfshihen, porti i Sarandës, ngritja e një vendi grumbullimi plehrash në bregdetin e Jonit dhe përfundimi i 12 projekteve në rrugë dhe ujësjellës, në çdo fshat në këtë breg", - përfundoi ajo.