E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku humb terren ndaj euros dhe dollarit

Leku ka vazhduar zhvlerësimin ndaj monedhave të huaja edhe gjatë kësaj jave, duke humbur terren pothuajse ndaj të gjitha monedhave. Megjithatë, ditët e fundit ai ka humbur pikë me ritëm më të ulët se javën e shkuar. Kështu, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me rreth 130 lekë, ose një vlerësim prej 0.46 lekësh në dy ditë. Dollari ka qenë monedha që ka pësuar vlerësimin më të fortë në dy ditë. Ai u kuotua dje me afro 103.2 lekë dhe ka fituar terren prej 1.85 lekësh brenda dy ditësh. Paundi britanik vazhdon të rikuperojë humbjet e pësuara fundvitin e shkuar ndaj lekut. Dje ai u tregtua për 146.16 lekë, ose 0.38 lekë më shumë se një ditë më parë. Zyrtarët e financave thonë se ky është një efekt i përkohshëm i dobësimit të lekut dhe se ai do ta marrë shpejt veten. Ndërkohë, marrja e kredisë tregtare prej 300 milionë eurosh pritet të ketë një ndikim në stabilizimin e kursit, jo në mënyrë direkte, por ekspertët thonë se do të japë efektin e saj në treg. Zhvlerësimi i lekut, sipas ekspertëve, ka një impakt në çmimet e mallrave të konsumit, pasi shumica e tyre importohen me kursin aktual dhe kushtojnë më shtrenjtë. Efekt tjetër është edhe shtrenjtimi i kostos së kredive për shumicën e atyre që kanë marrë kredi nëpër banka, pasi 70% e totalit është në valutë dhe kryesisht në euro. Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare dollari po fiton terrenin e humbur prej kohësh ndaj euros. Monedha evropiane këmbehej dje me rreth 1.26 dollarë, kur pak kohë më parë tregtimi iu afrua nivelit prej 1.4 dollarësh.

ENEL-i, marrëveshje me ndërtuesit shqiptarë për TEC-in

Kompania e prodhimit të energjisë, Enel, nënshkroi dje një marrëveshje me Konfindustrinë Shqiptare, marrëveshje në të cilën parashikohet nënkontraktimi i kompanive vendase gjatë ndërtimit të kompleksit energjetik në Porto Romano. ENEL-i ka nënshkruar një kontratë me qeverinë shqiptare për ndërtimin e një termocentrali me fuqi 800 MW me qymyr të pastër, një bankinë ngarkim-shkarkimi, një linjë ajrore transmetimi me tension 400 kV, e cila lidh termocentralin e ri me rrjetin shqiptar të shpërndarjes dhe një linjë nënujore 500 kV, që do të lidhë centralin me rrjetin italian të shpërndarjes. Kostoja totale e këtij projekti parashikohet të jetë 1 miliard euro. Marrëveshja e djeshme parashikon përfshirjen e kompanive shqiptare në ndërtimin e disa njësive të këtij kompleksi.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›