Berisha: Inspektorët e BB-së u korruptuan nga mafia e ndërtimit
TIRANË - Kryeministri Berisha deklaroi dje në një konferencë për shtyp se, qeveria do t'i kërkojë Bankës Botërore të nisë menjëherë hetimet për të zbuluar ata që kanë gabuar në hartimin e projektit, duke theksuar se situata e krijuar është problem i brendshëm i kësaj të fundit.
Ai shtoi se, Banka Botërore nuk kishte parashikuar dëmshpërblime për prishjet në Jalë. Kryeministri akuzoi panelin e inspektimit të BB-së si të lidhur me mafien e ndërtimit në Shqipëri. "Ka një kohezion midis mafies së ndërtimit në Shqipëri dhe panelit të inspektimit, për të cilën qeveria Shqiptare ka të drejtën që të ndjekë deri në fund të hetimit të këtij korrupsioni", - tha ai.
Sipas Berishës, projekti nuk është hartuar nga qeveria shqiptare, por nga Banka Botërore. Për sa u përket prishjeve të godinave në Jalë, Kryeministri deklaroi se, është vepruar ne përputhje me ligjin. "Ne nuk kemi pranuar, nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë dy standarde në ligjin shqiptar. Ne nuk mund të pranojmë që banorëve të qytetit të Tiranës t'u prishet shtëpia në emër të investimeve publike dhe të tjerëve të mos u prishet. Në të gjitha rastet, nga Velipoja në Sarandë, çdo veprim jo i ligjshëm i autoriteteve jo shtetërore, kjo qeveria ka marrë zhdëmtimin, por mbi bazën e vlerësimit të ligjeve të vendit. Ne bëjmë këtë për çdo qytetar, por jo me dy standarde",- tha ai, duke theksuar se qeveria e tij ka vepruar brenda ligjit për sa i përket Jalës.