E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Kriza ekonomike do ti shtrijë efektet edhe në vitin 2010

Sipas BSH-së, deficiti i llogarisë korente rritet me 1.3 miliardë. Ulen dhe të ardhurat nga remitancat me 16 për qind

Ervin KOÇI

Raporti më i fundit i Bankës Botërore, bërë publik dje, i referohet ecurisë më të fundit të krizës ekonomike botërore, e cila, sipas këtij institucioni, do të zgjasë më tepër nga parashikimet. Sipas raportit "Perspektiva ekonomike globale 2009", bëhet fjalë për një rritje jashtëzakonisht të ulët në vitin 2009 përsa i përket ecurisë ekonomike. Por ajo që është më shqetësuese është fakti se sipas BB-së, kriza ekonomike do të zgjasë më tepër nga parashikimet dhe do t’i shtrijë efektet edhe në vitin 2010. “Bota, ndryshe nga sa është parashikuar, nuk do të përballet me fundin e krizës në vitin 2010, por ajo do të zgjasë edhe në atë periudhë”, - thuhej në raportin e djeshëm të BB-së. Sipas këtij raporti, ndryshe nga sa kanë deklaruar vendet e zhvilluara, rimëkëmbja nuk do të vijë në vitin 2010, por do të zgjasë më tej duke goditur nga ana tjetër ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe duke rritur numrin e të papunëve në këto dy vite. Lidhur me rajonin, ku bën pjesë edhe Shqipëria, thuhet se "zhvillimet e fundit e kanë prekur shumë rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. Në vitin 2009 pritet që GDP-ja të bjerë me 2 për qind krahasuar me rritjen prej 4.2 përqindësh të saj gjatë vitit 2008”. Rënia e rritjes për rajonin, krahasuar me parashikimin e Bankës nëntorin e kaluar, ishte 4.8 pikë dhe përbën rënien më të madhe midis rajoneve në zhvillim.

Kriza në Shqipëri

Kriza globale ka dhënë ndikimin e saj, sidomos gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, i cili është mbyllur me një deficit tregtar prej 2,4 milionë eurosh. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, deficiti i tregtisë së mallrave u thellua me 310 milionë euro gjatë vitit 2008, duke arritur nga 2,104 milionë euro, që ishte në vitin 2007, në 2,415 milionë euro. “Thellimi i deficitit pasqyron deficitin e lartë në mallra, rënien e suficitit të transfertave korente nga 1,043 milionë euro në 830 milionë euro dhe një zhvendosje në kategorinë shërbime nga suficit prej 13 milionë euro, në deficit prej 15 milionë euros”, - nënvizuan ekspertët e BSH-së. Ka qenë tremujori i katërt, i cili ka regjistruar nivelin më të lartë të deficitit korent përgjatë vitit, me një shifër negative prej - 454 milionë euro. Ndërsa, bilanci i përgjithshëm i pagesave për vitin 2008 regjistroi një rritje të mjeteve të rezervës valutore me 192 milionë euro. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, pagesat për importe janë rritur për pothuajse të gjithë grup-mallrat, por në mënyrë të veçantë për grupet makineri dhe pajisje, me 24 për qind, mallra të përpunuar me 12 për qind dhe lëndë djegëse me 26 për qind. Eksportet nga industria e tekstileve dhe e këpucëve pësuan një rënie të lehtë, por vazhdojnë të renditen të parat duke siguruar 43 për qind të të ardhurave të përgjithshme nga eksportet.

Parashikimet

Dollari do të mbetet monedha dominante e rezervave botërore dhe gjithashtu një monedhë e fuqishme amerikane është kritike për ta nxjerrë nga kriza ekonomike e financiare botën. Kështu ka deklaruar presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, për agjencinë “Reuters” të lajmeve, ku ka bërë të ditur një program rezervash prej 50 miliardë dollarësh amerikanë që do të ndihmojë rënien e theksuar të tregtisë globale për shkak të krizës. Gjithashtu, Zoellick u bëri thirrje liderëve të G20-ës të mbështesin këtë program. Presidenti i Bankës Botërore, ndër të tjera, ka minimizuar shanset e rrëzimit të dollarit si monedha kryesore botërore, duke theksuar se kjo është një periudhë për diskutimin e ideve, por në të njëjtën kohë për veprim. Kina ka provokuar një debat rreth statusit të dollarit si elementi kryesor botëror në shkëmbimin e parave, duke sugjeruar një përdorim më të gjerë të monedhës së krijuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një aset ndërkombëtar për rezervat.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›