E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i parave nuk kursen as zyrtarët e lartë, fenomeni u dhjetëfishua në 2008-n

Kush depoziton mbi 6 milionë lekë, deklaron burimin e të ardhurave. PPPP-ja ka bllokuar 46 llogari bankare të dyshuara për pastrim

Ervin KOÇI

Ekonomia shqiptare, si pasojë e informalitetit, është përfshirë në vitet e fundit nga fenomeni i pastrimit të parave që nuk ka kursyer as drejtues dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore. Ky fakt konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Financave, sipas së cilës raste të tilla janë dhjetëfishuar për vitin 2008. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi, gjatë vitit 2008 janë evidentuar 26 raste të dyshimta nga të cilat 21 prej tyre janë dërguar në Prokurori pasi është konstatuar se origjina e parave ka qenë e jashtëligjshme. Pjesë e këtyre rasteve janë edhe tre zyrtarë të administratës, por emrat e tyre nuk bëhen publikë. “Në 2007-n kanë qenë dy raste të dërguara në Prokurori për pastrim parash, ndërsa në vitin 2008 ky fenomen është 10-fishuar duke shkuar në 21 të tilla”, - shprehet drejtori Doçi. Gjatë vitit 2008, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka bllokuar 46 llogari bankare të dyshuara për të njëjtin qëllim. Sipas të dhënave zyrtare janë bllokuar 504.934 euro, 486.046 USD dhe 952.032 lekë. Sipas ligjit në fuqi, çdo individ duhet të deklarojë burimin e të ardhurave në rastet kur depoziton mbi 6 milionë lekë në bankë ose kur ka cash 1.5 milionë lekë. Në këtë zhvillim të vrullshëm të ekonomisë, ku informaliteti vijon të jetë në nivel shqetësues, drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave kërkon dhe shikon si të domosdoshëm përmirësimin e mbledhjes së informacionit.

Analiza e DPPPP-së

Gjatë analizës së punës për vitin e kaluar, 21 prej rasteve të dërguara në Prokurori janë për pastrim parash. "Krahasuar me 2007-n ka një rritje nga 5 në 46 të çështjeve të dërguara në polici për investigime të mëtejshme. 37 prej tyre janë për dyshime për pastrim parash", - deklaroi Doçi. Nga Policia e Shtetit, 17 raste janë proceduar më tej dhe janë përmbyllur në regjistrimin e procedimeve penale pranë Prokurorisë. "Pesha specifike që zënë referimet për çështje të pastrimit të parave është 81 për qind e të gjithë informacionit të dërguar në Policinë e Shtetit", - ka deklaruar drejtori Doçi. Lidhur me objektivat për vitin 2009, Doçi renditi përfundimin e strategjisë afatmesme dhe afatgjatë në fushën e pastrimit të parave dhe krimeve financiare, si dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët e huaj. Sipas tij, studimi i tendencave dhe tipologjive të pastrimit të parave e financimit të terrorizmit do të jetë një tjetër objektiv i punës gjatë këtij viti. Zëvendësministri i Financave, Florion Mima, duke vlerësuar punën e bërë nga ky institucion, kërkoi angazhim të mëtejshëm të DPPPP-së dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet e tjera. "Ka ende punë për të bërë për uljen e përdorimit të parave ‘cash’ jashtë sistemit bankar dhe përdorimin gjithnjë e më shumë të kanaleve bankare për kryerjen e transaksioneve jo vetëm nga shoqëritë tregtare private dhe publike, por edhe nga vetë individët", - theksoi Mima. Kujdes më i madh u është kushtuar pagimit të gjobave, duke ndjekur të gjitha proceset gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit. Nga 22 ankime të bëra pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, 15 janë fituar nga DPPPP-ja, dy nga subjektet e ndëshkuara dhe të tjerat janë në proces. Shkalla e lartë e proceseve të fituara në Shkallën e Parë dhe në Apel është një indikator tjetër i zbatimit rigoroz të ligjit nga ana e DPPPP-së.

Sektorët e prekur

Noterët, ekspertët kontabël, shoqëritë e tregtimit të makinave, bizneset e ndërtimit, agjencitë e shkëmbimit valutor, etj., zunë numrin më të lartë të inspektimeve të kryera, respektivisht me 34 për qind, 10 për qind dhe 9.4 për qind të totalit të inspektimeve. Rëndësi nga ekspertët i është kushtuar inspektimeve në terren bazuar në disa kritere, si shkalla e ekspozimit ndaj rrezikut të pastrimit të parave të subjekteve, si dhe sasia dhe cilësia e informacionit që subjektet disponojnë. Si rezultat i inspektimeve, nga DPPPP-ja janë dhënë 35 gjoba nga 12 në vitin 2007. "Shuma totale e gjobave të dhëna për vitin 2008 është 23.690.000 lekë ose gati 6 herë më shumë se një vit më parë", - u shpreh drejtori Doçi. Ai nënvizoi se gjoba maksimale është 10.000.000 lekë dhe ajo mesatare është 720.000 lekë. Për herë të parë në 2008-n, DPPPP-ja ka propozuar heqjen e licencave për tre subjekte, pranë organeve mbikëqyrëse/licencuese.

Rastet e pastrimit të parave të dërguara në Policinë e Shtetit

Krahasuar me vitin 2007, ka një rritje nga 5 në 46 të çështjeve të dërguara në polici për investigime të mëtejshme. Rreth 37 prej tyre janë për dyshime për pastrim parash. Nisur nga kjo, DPPSH-ja i ka dhënë të drejtën DPPPP-së që për 46 rastet e referuara, 17 të kalojnë në procedim më tej nga Policia e Shtetit dhe janë konkluduar në regjistrimin e procedimeve penale pranë Prokurorisë. Pesha specifike që zënë referimet për çështje të pastrimit të parave është 81 për qind e të gjithë informacionit të dërguar në Policinë e Shtetit. Në vitin 2008 janë nxjerrë 5 urdhra bllokimi (apo vonim transaksioni), katër nga të cilët për dyshime për pastrim parash dhe një për dyshim për financim terrorizmi. Janë bllokuar 45 llogari bankare në shumat 504.934 euro, 486,046 USD dhe 952.032 lekë.

Llogaritë bankare të dyshimta depozitohen në vendet e huaja

Sipas të dhënave nga subjektet raportuese, transaksionet e parave të personave të dyshimtë, që janë të skeduar si individë që merren me aktivitetin e pastrimit të parave, bëhen kryesisht jashtë vendit. Më shumë se 1/2 e RAD-it të raportuara në 2007-n janë transferta të shumë individëve në drejtim të një përfituesi kryesisht me Turqinë, Kinën, Gjermaninë dhe vende të tjera. Për këtë fenomen që orientohet drejt evazionit fiskal, disa raste janë referuar pranë DPD-së e DPT-së dhe i është propozuar Departamentit të Mbikëqyrjes të BSH-së të hartojë rregullore ku të ndalohen transfertat e individëve drejt kompanive apo bankave të huaja pa dokumentacion ligjor tatimor. Në vitin 2008 janë raportuar 152 RAD-e, nga të cilat kanë rezultuar me elementë të mjaftueshëm dyshimi 92 individë ose 60 për qind e rasteve. Pas analizimit financiar janë referuar pranë organeve të zbatimit të ligjit 29 prej tyre, ndërsa 63 RAD-e janë në proces analizimi.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›