Banka Botërore: Kujdes kreditë e këqija, mund të sjellin krizë financiare
Sistemi bankar shqiptar dhe ai rajonal janë të ekspozuar ndaj rritjes së mëtejshme të kredive të këqija duke sjellë kështu me vete rrezikun e një krize të re financiare, por këtë herë me shtrirje rajonale. Banka Botërore në rishikimin e parashikimeve të saj për 2010-ën nxjerr në pah tendencën në rritje të kredive të papaguara, të cilat janë një shprehje e qartë e efekteve të post-krizës. Gjatë raportit të saj të fundit banka thekson se natyra e tejzgjatur dhe e thellë e krizës ekonomike globale shfaq rrezik për rajonin e Ballkanit në përgjithësi dhe për Shqipërinë si pjesë e tij ku shfaqen tendenca të larta të papunësisë çka ka ulur aftësinë e individëve dhe bizneseve të paguajnë kreditë e tyre. Portofoli i kredive të këqija ka marrë rritje të shpejtë dhe kjo ka bërë që bankat të izolojnë kapacitetet e tyre në provigjione për këto kredi. Nëse problemi zgjerohet më shumë kriza financiare rajonale nuk mund të përjashtohet, por në këtë aspekt ende nuk dihet se si mund të reagojnë vendet e ndryshme të rajonit. Sipas Bankës Botërore Shqipëria është në të njëjtën situatë si në gjysmën e dytë të 2009-ës kur edhe ndjeu efektet e krizës, dhe 50-60 për qind të kredive të këqija janë të mbuluara me provigjione ndryshe nga Maqedonia e cila këto kredi i mbulon 100 për qind. Kjo ka detyruar bankat të bëhen më “dorështrënguara” sa i përket kreditimit në mënyrë që të mos kenë rritje të mëtejshme të portofolit të kredive të këqija. Thirrjen e Bankës Botërore për më shumë kujdes me kreditë e këqija ka shumë mundësi që sistemi bankar rajonal dhe shqiptar ta përkthejë me më shumë kufizim të kreditimit. Kjo në një kohë kur Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave bëjnë thirrjen e kundërt me rritje të kreditimit, por nga ana tjetër janë në të njëjtin kah përsa i përket rritjes së vigjilencës.